Brazili mori fitoren e parë në Botërorin 2026, duke mposhtur Haitin 3-0 në Philadelphia, por paraqitja e “Seleçaos” la sërish disa pikëpyetje.
Matheus Cunha shënoi dy gola, ndërsa Vinicius Junior realizoi një tjetër finalizim të bukur, të gjitha në pjesën e parë. Tifozët brazilianë festuan në tribuna, ndërsa në stadium ishte i pranishëm edhe Ronaldinho, pjesë e skuadrës kampione bote në vitin 2002.
Megjithatë, pavarësisht rezultatit, Brazili ende nuk duket në versionin e tij më të mirë. Pas barazimit 1-1 ndaj Marokut në ndeshjen e parë, skuadra e Carlo Ancelottit pritej të jepte një sinjal më të fortë, por pas pushimit uli ndjeshëm ritmin dhe nuk regjistroi asnjë goditje në portë në pjesën e dytë.
Haiti, që pas kësaj humbjeje u bë skuadra e parë e eliminuar nga Botërori 2026, pati më shumë tentativa se Brazili në 45 minutat e dyta, me 7 gjuajtje kundrejt vetëm 2 të brazilianëve.
Ancelotti, megjithatë, e mbrojti paraqitjen e skuadrës së tij pas ndeshjes.
“Ishim shumë më mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ata patën pak më shumë kontroll, por ne kishim mundësi për të shënuar më shumë gola. Në përgjithësi ishte një ndeshje e mirë”, u shpreh trajneri italian.
Ai vlerësoi edhe pozicionin e Matheus Cunhas në sulm, por nuk konfirmoi nëse lojtari i Manchester United do të mbetet titullar edhe ndaj Skocisë në ndeshjen e ardhshme.
“Do ta shohim. Pozicioni i Matheus ishte i mirë për t’i krijuar probleme mbrojtjes. Mund të jetë një opsion”, tha Ancelotti.
Ndërkohë, Brazili pret edhe rikthimin e Neymarit. Sulmuesi 34-vjeçar nuk udhëtoi për ndeshjen ndaj Haitit për shkak të një problemi në pulpë, por Ancelotti konfirmoi se ai do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Skocisë.
“Po, do të stërvitet individualisht nesër dhe më pas të hënën me skuadrën. Do të jetë i disponueshëm për Skocinë”, tha trajneri i Brazilit.
Fitorja ndaj Haitit solli edhe disa statistika historike. Brazili shënoi tre ose më shumë gola për herë të 41-të në historinë e Botërorit dhe kaloi Gjermaninë për numrin total të golave në këtë kompeticion, duke arritur në 241 gola kundrejt 239 të gjermanëve.
Megjithatë, lajmi i keq ishte dëmtimi i Raphinhas, i cili u detyrua të linte fushën në minutën e 40-të. Ancelotti tha se gjendja e tij do të vlerësohet më qartë ditën e nesërme.
Një moment i veçantë ishte edhe debutimi i Endrick në Kupën e Botës. Sulmuesi 19-vjeçar u prit me ovacione kur hyri në fushë në minutën e 64-të, duke u bërë një nga lojtarët më të rinj në historinë e Brazilit në Botëror. Megjithatë, ai pati pak ndikim në lojë dhe një gol iu anulua.
Brazili tani ka 4 pikë pas dy ndeshjeve dhe pritet të sigurojë kalimin në fazën tjetër, por pyetja mbetet e njëjtë: kur do ta shohim Brazilin e vërtetë?











