Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të reagojë ndaj kërcënimeve për vendosjen e tarifave doganore nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar se Unioni ka në dispozicion mjete të fuqishme për të mbrojtur interesat e tij ekonomike dhe politike.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se Evropa do të “qëndrojë në këmbë” përballë presioneve tregtare, duke sqaruar se kërcënimet me tarifa nuk janë rruga e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Deklaratat e saj erdhën pas një takimi të zhvilluar në Bruksel me ministrin e Mbrojtjes të Danimarkës dhe ministrin e Jashtëm të Groenlandës, ku u diskutua edhe çështja e sigurisë në Arktik.
“Siguria e Arktikut është një interes i përbashkët transatlantik dhe diçka që mund ta diskutojmë me aleatët tanë amerikanë”, shkroi Kallas në rrjetin social X pas takimit. Megjithatë, ajo theksoi se “kërcënimet me tarifa nuk janë mënyra për ta arritur këtë”.
“Sovraniteti nuk është për tregti. Ne nuk kemi interes të nisim një luftë, por do të qëndrojmë në pozicionin tonë. Evropa ka një sërë mjetesh për të mbrojtur interesat e saj”, shtoi ajo.
Sipas mediave ndërkombëtare, Kallas i referohej të ashtuquajturit instrument anti-shtrëngim të BE-së, i cili i jep mundësi Unionit të vendosë tarifa hakmarrëse ndaj SHBA-së, të kufizojë investimet dhe tregtinë amerikane në Evropë, si dhe të ndalojë aksesin në tregun evropian.











