Banorët e fshatit Torovicë, në qarkun e Lezhës, po përballen prej dy ditësh me mungesë totale të energjisë elektrike, pa asnjë reagim apo ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
Sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, shkaku i ndërprerjes së energjisë është djegia e plotë e pajisjeve të transformatorit, përfshirë edhe paketat shpërndarëse.
Pavarësisht njoftimeve të përsëritura nga banorët drejt strukturave përkatëse, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë për riparimin e defektit, ndërsa mungon edhe çdo informacion zyrtar për zgjidhjen e situatës.
Situata është alarmante, veçanërisht në mes të dimrit, ku mungesa e energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt në ngrohje, ruajtjen e ushqimeve dhe jetesën e përditshme të familjeve.
Banorët shprehen të revoltuar për neglizhencën e autoriteteve, duke theksuar se reagimi shpesh vjen vetëm kur rastet bëhen publike ose marrin vëmendje në rrjetet sociale.










