Deputeti demokrat Klevis Balliu ka thirrur ditën e sotme në interpelancë ministrin e Mbrojtjes Besfort Lamallari. Në fjalën e tij Balliu tha se inkriminimi i Policisë së Shtetit është një realitet i njohur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se, pavarësisht problemeve, në radhët e policisë ka ende efektivë të ndershëm që luftojnë krimin e organizuar. Sipas Balliut, raportet ndërkombëtare evidentojnë korrupsion, infiltrimin e krimit dhe dështimin e procesit të vetingut në polici.
Balliu: Pavarësisht situatës së rëndë dhe degradimit që ka pësuar Policia e Shtetit si pasojë e inkriminimit të saj, në lidhje me afera të shumta kriminale, edhe në veçanti me kartelet e drogës, brenda kësaj strukture ka ende efektiv të ndershëm që çdo ditë përballen me strukturat kriminale dhe me kartelet që siç thonë raportet ndërkombëtare, janë më të rrezikshmet në Europë. sot nuk mund të rrimë pa folur dhe duhet thënë qartë, inkriminimi i Policisë së Shtetit nuk është një akuzë politike, por një fakt i njohur jo vetëm nga opinioni publik shqiptar, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe kjo është një plagë e madhe kombëtare, sepse këtu nuk cënohet vetëm një institucion, por cënohet siguria e çdo qytetari dhe vetë siguria kombëtare.
Ministri i Mbrojtjes, Besfort Lamallari, tha se policia e Shtetit ka hyrë në një fazë transformimi të thellë dhe Shqipëria ka shënuar progres të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit. Ai theksoi se ndarja e informacionit në kohë reale me agjenci të tjera ligjzbatuese është thelbësore, ndërsa kapacitetet përballë krimit të organizuar janë në rritje. Lamallari shtoi se janë referuar penalisht 336 punonjës brenda strukturave të policisë dhe 444 në total, duke treguar funksionimin e agjencisë.
Lamallari: Duhet të jemi kujdesshëm me deklaratat dhe akuzat ndaj uniformës së policisë. Nuk do të thotë se nuk ka probleme, po ka probleme. Ka shkelje dhe abuzime, ka nga ata që e kanë tradhtuar uniformën. KE ka evidentuar qartë se policia e Shtetit ka hyrë në fazë të transformimit të thellë. Komisioni në 2025 citon; Shqipëria ka shënuar progres të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit. Në fund të ditës, ndarja e informacionit në kohë reale, me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka shumë rëndësi për ne. Indeksi global i krimit të organizuar, e paraqet Shqipërinë me rezistencë dhe kapacitete luftuese. Kapacitet janë në rritje dhe ka rezistencë ndaj paligjshmërisë, përballë krimit të organizuar. Porosia ime e parë e drejtuesit e agjencisë, ka qenë që të verifikohen të gjitha trupat e policisë, sidomos forca drejtuese. Janë 336 referime penale për shkelje brenda strukturave të policisë dhe agjencive të tjera. Kjo tregon se funksion agjencia. Kemi 444 punonjës të strukturave të referuar.











