Largimi i Xabi Alonsos nga pankina e Real Madridit vazhdon të bëjë jehonë në Angli. Në natën e Champions League, tema u diskutua gjerësisht nga zëra të njohur si Jamie Carragher, Thierry Henry dhe Gareth Bale. Ky i fundit ishte në transmetim direkt nga stadiumi i Tottenhamit, ku po komentonte ndeshjen Spurs–Borussia Dortmund.
Gareth Bale u shpreh se nuk e ka aspak surprizë largimin e Alonsos, duke theksuar se te Real Madridi rezultati është vendimtar dhe nuk të jepet shumë kohë:
“Xabi Alonso? Nuk më habit. E kuptoj shumë mirë si funksionon Real Madridi: nëse rezultatet nuk vijnë – dhe nuk duhet të jenë as shumë – ti largohesh. Xabi është një trajner i jashtëzakonshëm. Ajo që bëri te Bayer Leverkusen ishte e jashtëzakonshme. Por kur shkon te Real Madridi, nuk të duhet të jesh trajner. Më shumë se trajner, duhet të menaxhosh egot në dhomat e zhveshjes. Duhet t’i qetësosh egot; nuk ke nevojë të bësh shumë punë taktike. Ke yje që e ndryshojnë ndeshjen në një çast,” shpjegoi Bale, duke lënë të kuptohet se kjo ishte “gabimi” i Alonsos.
Edhe Thierry Henry solli një këndvështrim të ngjashëm, duke folur për presionin te klubet e mëdha:
“Ka ndodhur edhe me mua te Barcelona. Te këto ekipe gjykohesh për atë që nuk bën, jo për atë që bën. Të gjithë fishkëllen. Kur luan për Real Madridin ose Barcelonën, tifozët ta tregojnë menjëherë kur nuk janë të kënaqur.”
Ndërsa Jamie Carragher tha se e kishte ndier që herët se Alonso mund të mos qëndronte gjatë:
“Në mes të gjysmës së parë të sezonit, e shikoja situatën dhe nuk më dukej se Xabi do të ishte trajner pas Krishtlindjeve. Humbën ndaj Barcelonës, por luajtën mirë. Mendoj se është më mirë që Xabi është larguar. Ai erdhi me një ide të caktuar dhe u pa shpejt se nuk do t’i lejohej të trajnonte siç donte, as të ndërtonte ekipin siç donte. Kishte probleme me disa lojtarë që nuk i pranuan idetë e tij.”
Carragher shtoi se largimi mund të jetë “më i miri për vetë Alonson”:
“Është më mirë për të. Edhe nëse do të kishte fituar një trofe, në thellësi e dinte që s’ishte mënyra e tij. Siç tha Henry disa javë më parë, atyre u duhet një menaxher, jo një trajner.”
Në fund, ish-lojtari anglez Nigel Reo-Coker shtoi gjithashtu se, sipas tij, “ishte gabim të shkarkohej Carlo Ancelotti”.











