Atletico Madrid ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Real Sociedad në një ndeshje shumë të luftuar, ku skuadra baske arriti të barazojë dy herë rezultatin.
Skuadra e Diego Simeones kaloi e para në avantazh me Alexander Sorloth, i cili shënoi pas një aksioni të bukur në zonë. Megjithatë, reagimi i Real Sociedad erdhi shpejt dhe Soler barazoi rezultatin pas një pasimi të saktë në zonë.
Në pjesën e dytë, Atletico kaloi sërish në avantazh falë golit të Nico, i cili realizoi pas një asistimi të bukur nga Antoine Griezmann. Por edhe këtë herë Real Sociedad reagoi, me kapitenin Mikel Oyarzabal që barazoi me një goditje të fortë nga jashtë zonës.
Goli vendimtar i takimit erdhi më vonë, kur Nico realizoi sërish për Atleticon, duke i dhënë skuadrës madrilene tre pikë shumë të rëndësishme në garën për titull në La Liga.
Ndeshja u zhvillua vetëm pak ditë pasi të dy ekipet siguruan finalen e Kupës së Mbretit që do të luhet më 18 prill në Sevilla, prandaj të dy trajnerët bënë disa rotacione në formacion.











