Gazetari Sokol Bregu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” duke folur për arratisjen e bujshme të të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit dy ditë më parë, u shpreh se ai ka përfituar nga familjarizimi me policët e togës së shoqërimit dhe hodhi dyshime se për arratisjen e tij janë hedhur shumë para.
“Ka bërë 5 vjet në burg, i japin mundësi familjarizimi me policët aty. Ai shoqërohet dy herë në javë në seancë në Tiranë.
Të burgosurit çdo herë mendojnë se si të largohen nga burgu. Është toleruar në burg, se është lënë në burgun e Durrës dhe jo në burgun 313. Lënia e tij në burgun e Durrësit shton buxhetin se sillet në Tiranë dhe kthehet në Durrës, në vend që të kalojë nëpër tunelin që lidh burgun me gjykatën, por i jep alternativa për tu larguar.
Burgjet në Shqipëri janë të sigurta se kanë disa rrethime. Ai e ka ditur se si do të ikte. Ka parë çrregullsinë e gardianëve. Infermieri dhe mjeku kanë patur një raport me të burgosurin dhe nuk u ka shkuar në mendje se do të arratiset. Është gabim i togës së shoqërimit. Ata kanë qenë të familjarizuar me të.
Emri i tij ka dalë në SKY ECC, prej tij Nuredin Dumani u fut në konflikt me Talo Çelën. Janë 5 vrasje për të cilat akuzohet dhe janë shumë. Janë hedhur shumë para edhe për t’u arratisur ose për të dalë si i sëmurë shëndetësor. Mendoj se gabimi është i policëve”, tha gazetari Sokol Bregu.
Dervishi: Altin Ndoci paraqet shumë rrezikshmëri i lirë, do t’ia dëgjojmë krismën
Ndërsa gazetari Ferdinand Dervishi tha se Ndoci vetë nuk ka patur mundësi ta financonte arratisjen e vet, por është ndihmuar nga jashtë dhe ai paraqet shumë rrezikshmëri i lirë.
“Është e njëjta skemë për ta nxjerrë jashtë. Është investuar dikush. Kemi një njeri që është i sëmurë, por që vrapon shpejt. Ky ishte vend i përshtatshëm për arratisje. Shkon pa pranga, e shoqëron një polic e gjysëm kur shkon në banjë. I ka rënë policit në ballë dhe polices në bark. Si ka mundësi që policia nuk bllokon rrugët?
Unë nuk besoj se ky njeri ka patur mundësi të vetëfinancojë arratisjen. Ai u zu për 10 mijë euro borxh, financimin e ka bërë dikush tjetër, që do t’ia dëgjojmë krismën.
Paraqet shumë rrezikshmëri duke qenë i lirë. Ky që merr përsipër dhe që vlerësohej nga banda e Çopjave për çfarë do të përdoret?” tha Dervishi.










