Tregtimi i arit është një sektor i ndjeshëm që ndikohet nga faktorë të ndryshëm, si luhatjet e tregjeve ndërkombëtare dhe kursi i këmbimit valutor. Në këtë intervistë të posaçme për “Monitor”, Banka e Shqipërisë analizon faktorët kryesorë që ndikojnë në çmimin e arit në tregun shqiptar, rolin e saj në menaxhimin e rezervave të arit, si dhe trendet globale që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në tregun vendas.
Gjithashtu, flet për mundësitë që kanë individët dhe bizneset për të investuar në ar, si dhe ndikimin e inflacionit dhe luhatjeve monetare në perceptimin e tij si një investim i sigurt në Shqipëri.
Si e vlerësoni tregun e arit në Shqipëri? A ka pasur ndonjë zhvillim të rëndësishëm në vitet e fundit?
Tregu i tregtimit të arit, nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, ka mbetur në vëllime mjaft modeste në vitet e fundit, i ngjashëm me atë të viteve të mëparshme.
Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në çmimin e arit në tregun shqiptar?
Faktori kryesor që ndikon çmimin e arit të standardizuar në Shqipëri lidhet me zhvillimet e kërkesës dhe ofertës për të në tregun ndërkombëtar global. Për nga natyra e tij, çmimi i arit ka luhatshmëri të lartë, të krahasueshme me investimin në aksione.
Duke qenë se ari kuotohet në tregun ndërkombëtar në monedhën amerikane, ndikim në kursin e tij në tregun e brendshëm, ka edhe ecuria e Dollarit amerikan me monedhën kombëtare, Lekun.
Pavarësisht se, luhatshmëria e Dollarit amerikan kundrejt Lekut është disa herë më e lartë se ajo e Euros në këmbimin me Lekun, sërish ky faktor, të paktën në historinë e viteve të fundit, ka rezultuar dytësor në ecurinë e çmimit të arit në këmbimin me Lekun.
Si e shihni rolin e Bankës së Shqipërisë në menaxhimin e rezervave të arit? A ka ndonjë plan për të rritur ose për t’i ulur këto rezerva?
Banka e Shqipërisë ka ekspozim të ulët në ar, por të krahasueshëm me atë të bankave qendrore të ngjashme me të dhe pjesë e procesit të mbajtjes së një portofoli të diversifikuar.
Pra, konsideratat e mbajtjes së ekspozimit në ar nuk lidhen me pritjet për rritje apo rënie të çmimit të tij në kohë, por synojnë luhatshmëri më të ulët të vlerës së rezervës valutore në skenarë të caktuar të rrezikut në treg.
Gjatë viteve të fundit, pesha e arit në rezervën valutore është synuar të mbahet e pandryshuar.
A mund të na flisni për trendet globale në tregun e arit dhe ndikimin e tyre në Shqipëri?
Trendi i arit në tregun ndërkombëtar në vitet e fundit ka qenë kryesisht forcues dhe kjo është reflektuar edhe në tregun shqiptar.
Faktori kryesor që ka nxitur rritjen e vlerës së arit kanë qenë shqetësimet inflacioniste, si dhe rritja e perceptimit për rrezikun gjeopolitik në tregje për shkak të konflikteve në Europën Lindore dhe në Lindjen e Mesme, si dhe ndikimi i këtyre ngjarjeve në raportet diplomatike të vendeve me fuqi të madhe ekonomiko-politike.
Cilat janë mënyrat më të zakonshme për individët dhe bizneset shqiptare që të investojnë në ar? A ekzistojnë rregullore të veçanta për tregtimin e arit?
Teorikisht, mënyrat më të zakonshme të investimit në ar janë nëpërmjet blerjes së arit të standardizuar në formë fizike apo elektronike, blerjes së arit fizik jo të standardizuar, përfshirë monedhat, ose blerja në tregun e aksioneve të instrumenteve financiare apo kompanive, çmimi i të cilave është i lidhur drejtpërdrejtë me çmimin e arit (p.sh., ETF) ose në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, nëpërmjet të ardhurave nga aktiviteti ekonomik i tyre (p.sh., prodhuesit).
Banka e Shqipërisë, nëpërmjet rregulloreve, u kërkon bankave të nivelit të dytë të raportojnë vetëm veprimet e Arit të standardizuar kundrejt monedhës kombëtare.
Sipas këtyre raportimeve, ky aktivitet është minimal, ndërkohë që, perceptimi i publikut është që, gjatë viteve të fundit, ka pasur një tendencë në rritje të blerjes së monedhave, të cilat krahas vlerës së metalit, kanë edhe vlera numizmatike.
Si ndikon inflacioni dhe luhatjet e monedhës vendase në perceptimin e arit, si një investim i sigurt në Shqipëri?
Sikurse kemi shpjeguar në pyetjet e mëparshme, perceptimet për rritje të inflacionit dhe rritje të rrezikut në tregun global apo atë lokal mund të jenë arsye për rritjen e ekspozimit të publikut apo investitorëve në ar.
Përfitueshmëria e këtij investimi do të ndikohej në një masë të madhe nga horizonti investues, si dhe kostoja oportune e heqjes dorë nga mbajtja e një komoditeti në vend të një monedhe. E theksojmë këtë pasi, ari zakonisht nuk përfiton interes ose është shumë i vogël, ndërsa monedhat përfitojnë nga investimi i tyre në depozita apo instrumente të tjera, të cilat zakonisht kanë interes më të lartë./Monitor