Carlo Ancelotti ka komentuar përballjen e ardhshme ndaj Kylian Mbappés, futbollistit që sezonin e kaluar e kishte nën urdhrat e tij te Real Madridi.
Tekniku italian, i cili prej disa muajsh drejton kombëtaren e Brazilit, u shpreh se tani francezi është kundërshtar dhe se skuadra e tij duhet të bëjë një punë të madhe në mbrojtje për ta ndalur.
Sipas Ancelottit, Mbappé mbetet një nga lojtarët më të rrezikshëm në botë, falë shpejtësisë, cilësisë dhe efikasitetit të tij të lartë para portës.
“Tani ai është kundërshtar. Duhet të mbrohemi mirë, sepse ai është tri herë më i shpejtë, ka cilësi dhe është tri herë më efektiv”, deklaroi Carlo Ancelotti.
Miqësorja ndërkombëtare mes Brazilit dhe Francës do të zhvillohet të enjten, më 26 mars, me fillim nga ora 21:00 CET.
Më herët ishte raportuar se sulmuesi 27-vjeçar i Real Madridit dhe Francës, Kylian Mbappé, kishte folur edhe për dëmtimin në gju, i cili në një moment kishte vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës 2026.











