Disa dronë të paidentifikuar janë vërejtur duke fluturuar mbi një bazë ushtarake në Uashington, ku qëndrojnë Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe kreu i Pentagonit, Pete Hegseth. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta amerikane The Washington Post.
Sipas raportimeve, autoritetet amerikane ende nuk kanë arritur të përcaktojnë origjinën e dronëve. Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur se kush qëndron pas këtij aktiviteti ajror të paautorizuar.
Fluturimet mbi bazën ushtarake Fort McNair kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë, duke bërë që zyrtarët të shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së dy zyrtarëve të lartë. Megjithatë, sipas një burimi të lartë qeveritar, Rubio dhe Hegseth nuk janë zhvendosur.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka rritur nivelin e vëzhgimit dhe monitorimit të kërcënimeve të mundshme, për shkak të gjendjes së tensionuar të sigurisë ndërkombëtare dhe konfliktit të vazhdueshëm që përfshin SHBA-në, Izraelin dhe Iranin.
Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, refuzoi të komentojë në detaje mbi incidentin, duke theksuar se për arsye sigurie nuk mund të jepen informacione mbi lëvizjet e sekretarit të Mbrojtjes. Ai shtoi se publikimi i të tilla detajeve është i papërgjegjshëm dhe mund të rrezikojë sigurinë kombëtare.











