Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e së premtes në bypass-in e Fierit, pranë mbikalimit të fshatit Baltëz, ku një automjet tip “Audi” është përplasur me barrierat mbrojtëse dhe më pas është përmbysur në rrugë.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti dyshohet se ka humbur kontrollin për shkaqe ende të paqarta, duke u përplasur fillimisht me barrierat anësore dhe më pas duke përfunduar i përmbysur në autostradë.
Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të plagosur drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer. Të dy janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas të dhënave paraprake, gjendja shëndetësore e njërit prej të plagosurve raportohet më e rënduar.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësja, ndërsa autoritetet po punojnë për normalizimin e qarkullimit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende nën hetim.










