Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e sotme në Rrugën e Arbrit, në vendin e quajtur “Zall Maricë”, në Njësinë Administrative Zall-Bastar, në Tiranë.
Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa përplasja dyshohet të ketë qenë fatale për dy persona.
Paraprakisht raportohet për dy viktima, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar lidhur me bilancin e aksidentit.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy autoambulanca, ndërsa ekipet e emergjencës po ndërhyjnë për t’u ardhur në ndihmë personave të përfshirë në aksident.
Rrethanat dhe shkaqet e përplasjes mbeten ende të paqarta. Pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet për të sqaruar bilancin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.











