Janë luajtur sot dy ndeshjet e fundit të javës së 32-të për Abissnet Superiore. Në “Adush Muça” në Balls, Egnatia fitoi me shifrat 0-2. Në pjesën e parë mungoi goli, ndërsa në 45-minutat e dyta rrogozhinasit shënuan dy herë.
Serinë e golave e hapi Regi Lushkja në minutën e 48-të, i cili dërgoi topin në rrjetë pas një krosimi të bukur në krah nga Fernandes. Goli i dytë erdhi në minutën e 72-të pas një kundërsulmi të shpejtë, Serxho Ujka asiston bukur për Saliou Guindo, i cili e ka mjaft të lehtë të dërgojë topin në portën e ballshiotëve.
Në “Elbasan Arena”, verdheblutë fituan në frymën e fundit ndaj Tiranës. Bardheblutë kaluan të parët në avantazh me Pergjonin në minutën e 11-të dhe e mbyllën pjesën e parë në avantazh. Në pjesën e dytë, fillimisht Elbasani barazon shifrat në minutën e 72-të me Kristi Qose, i cili shënon me kokë. Përmbysja e madhe erdhi në minutat shtesë, ku sërish ishte protagonist ish-mesfushori i Kombëtares, Qose, që shënoi golin e dytë dhe të fitores së madhe për vendasit.
Pas kësaj fitoreje, Elbasani ringjall shpresat për vendin e katërt, pasi ndodhet vetëm 4 pikë larg Partizanit, ndërsa Tirana renditet e fundit me 32 pikë. Duhen edhe 4 javë nga përfundimi i këtij sezoni në Superiore.
