TIRANË- Policia e Tiranës e ka referuar në SPAK hetimin lidhur me arsenalin prej 23 armësh të zbuluar 29 tetor në një furgon të parkuar në rrugën Myslym Shyri në kryeqytet. Burime për TV Klan raportojnë se çështja i është kaluar Prokurorisë së Posaçme pas dyshimeve se armët e sekuestruara i përkasin një grupi kriminal.
Dyshimet e hetuesve janë se arsenali i përket grupit të Aurel Hoxhës, i shpallur në kërkim nga SPAK si porositësi dhe organizatori i vrasjes së Klevis Lleshit në vitin 2020, ngjarje kjo e zbardhur falë zbërthimit të komunikimeve në SKY ECC.
Në lidhje me ngjarjen i arrestuar është Eugert Sino, personi në emrin e të cilit ishte vënë pronësia e furgonit ku u zbuluan armët. Para hetuesve 34-vjeçari ka rrëfyer se furgonin e vendosi në pronësi të tij, pasi ia kishte kërkuar një shok me emrin Bledar, mbiemrin e të cilit ka deklaruar se nuk e di. Sino rezulton që të ketë qenë i punësuar më herët në lokalin “Monopol”, në pronësi të Aurel Hoxhës.
Armët u gjetën në një furgon më 29 tetor, që ishte prej muajsh i parkuar në zonën e Myslym Shyrit, dhe kamuflohej me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”. Me këtë furgon trafikantët në kanë shmangur kontrollet në doganë duke deklaruar se janë teknikët e mirëmbajties së rrugëve. Mes armëve të sekuestruara janë: 5 snajper, 1 silenciator, 12 armë zjarri pistoletë, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distance.










