Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka vendosur të shqyrtojë një çështje të rëndësishme kushtetuese lidhur me të drejtën e fëmijëve që lindin në territorin amerikan nga prindër në pozita ilegale ose me viza të përkohshme për të qenë shtetas amerikanë. Kjo çështje lidhet me një urdhër ekzekutiv të presidentit Donald Trump që synon të anulojë të drejtën e shtetësisë për këta fëmijë, një veprim që është bllokuar nga gjykatat federale për shkak se i bie ndesh me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës.
Amendamenti prej afro 160 vjetësh garanton se çdo person i lindur në SHBA është automatikisht shtetas amerikan, përveç fëmijëve të diplomatëve dhe personelit të forcave të huaja. Administrata Trump argumenton se fraza “i nënshtrohen juridiksionit amerikan” përjashton fëmijët e imigrantëve të përkohshëm ose të paligjshëm, ndërsa avokatët që përfaqësojnë paditësit theksojnë se askush, përfshirë presidentin, nuk mund të ndryshojë këtë garanci kushtetuese.
Sipas Pew Research Center, në vitin 2016 rreth 250,000 foshnja lindën në SHBA nga prindër që nuk ishin shtetas amerikanë, duke çuar në një total prej 1.2 milionësh në vitin 2022 për fëmijët e lindur me prindër pa dokumente. Një studim i Migraion Policy Institute paralajmëron se shfuqizimi i së drejtës së shtetësisë së lindjes mund të rrisë popullsinë e paautorizuar në SHBA me 2.7 milion deri në vitin 2045, dhe me 5.4 milion deri në vitin 2075.
Gjykata e Lartë ende nuk ka caktuar një datë për seancat, por vendimi pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm mbi politikën e imigracionit dhe statusin ligjor të shumë fëmijëve. Çështja përfaqëson një pikë kyçe në debatin më të gjerë rreth imigracionit dhe të drejtave të fëmijëve në SHBA, ndërsa shoqëria amerikane vazhdon të përballet me sfida të mëdha në lidhje me këtë temë.











