Në ditën e dytë të vizitës së saj në Izrael, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua me homologun e saj, Gideon Sa’ar. Gjatë takimit, ajo theksoi rëndësinë e marrëveshjes së paqes dhe planit të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të mundësojë një kapitull të ri për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Spiropali shprehu besimin se plani 20-pikësh i paqes ka potencialin për të krijuar një bashkëjetesë paqësore midis izraelitëve dhe palestinezëve, duke theksuar se ky moment mund të shënojë një fillim të ri për të gjithë rajonin.
Ministrja rikujtoi traditën shqiptare të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar këtë si një trashëgimi morale dhe historike, që vazhdon të jetojë në vetëdijen shqiptare. Ajo theksoi se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë ku popullsia hebraike u rrit gjatë Holokaustit dhe e përshëndeti njohjen e Kosovës nga Izraelin, duke shprehur shpresën për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas Spiropalit, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit po shtrihen në fusha të ndryshme si inovacioni, shëndetësia, arsimi, turizmi dhe bujqësia, dhe ajo dëshiron të mësojë nga përvoja izraelite në teknologji dhe shkencë. Të dy ministrat nënshkruan një memorandum bashkëpunimi që fokusohet në diplomacinë publike dhe trajnimin e diplomatëve të rinj.
Spiropali gjithashtu u takua me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana, me të cilin diskutoi mbi rëndësinë e mbështetjes ndaj proceseve që rrisin stabilitetin në rajon. Ajo përfundoi me një thirrje për ndërtimin e më shumë urave dhe mundësive për të rinjtë, novatorët, artistët dhe sipërmarrësit e të dy vendeve, duke nënvizuar nevojën për partneritete të qëndrueshme në të ardhmen.











