“Drejtësia po vihet nën trysni antikushtetuese, por duhet të vetëpërmbahet në reagimet e saj, edhe kur sulmet janë të padrejta”.
Kështu u shpreh kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, në lidhje me zhvillimet e fundit dhe sulmet që janë bërë deri edhe nga politika e kryeministri Edi Rama, ndaj gjyqtarëve të caktuar, për vendimet që ata marrin.
Ai vuri në dukje se këto sulme ishin të papranueshme dhe se pavarësia dhe ndarja e pushteteve nuk duhet të ishte vetëm retorikë.
“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes se pushteteve dhe i shtetit te se drejtës, nuk është vetëm retorikë”, shprehet Metani.
Deklarata u bë gjatë një takimi të organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me projektin Matra, të qeverisë së Mbretërisë së Holandës. Ky është një takim i nivelit të lartë me institucione të drejtësisë, për të folur mbi çështje të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit.
Dhe duke mbërritur tek pika e sjelljes së gjyqësorit ndaj këtyre sulmeve, Metani nënvizoi se duhet vetëpërmbajtje:
“Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë. Pavarësisht deklaratave të aktorëve të ndryshëm publikë, magjistratët nuk duhet të harrojnë se reagimet publike nuk janë pjesë e funksionit të tyre. Por, vetëpërmbajtja po! Vetëpërmbajtja nuk është dobësi e asnjë lloj natyre, por respekt për lirinë e shprehjes në demokraci, është largësi kushtetuese nga natyra politike e pushteteve të tjera”.
Kreu i ILD-së vuri theksin edhe tek besimi i publikut ndaj gjyqësorit, duke i këshilluar që të mos e harronin për asnjë moment këtë element, pavarësisht kushteve në të cilat punonin, me mbingarkesë dosjesh, mungesë organike dhe trysni prej sulmeve të herëpasherëshme.
“Duke mos harruar në asnjë moment të ditës sonë të punës, kushtet në të cilat punojnë magjistratët, ngarkesën e madhe të çështjeve gjyqësore, numrin e pamjaftueshëm të magjistratëve në sistem, rritjen e përdoruesve të sistemit gjyqësor, pritshmëritë e drejta dhe të padrejta nga sistemi gjyqësor, përsëri mendoj se besimi i publikut tek gjyqësori është vlera më e çmuar e drejtësisë, por dhe mbrojtja më e mirë e tij”, tha ai.
Dhe në fund një këshillë për qëndrimin larg të magjistratëve nga deontologjia politike, me qëllim që të mos diktojë sjelljen e tyre.
“Deontologjia politike nuk duhet të diktojë sjelljen e magjistratëve. Në këtë rast, besoj se thelbi i shtetit ligjor dhe i vlerave evropiane është pikërisht mënyra sesi sillemi, edhe kur nuk biem dakord me vendimet e njëri-tjetrit”, përfundoi ai.