Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të hënë, një takim me kandidatët për deputetë të Qarkut të Tiranës.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri u ndal tek zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Vota e Diasporës dhe integrimi në BE.
“Është hapur një dritare që nuk do qëndrojë aty përgjithmonë, por rrethanat e brendshme të Europës e kanë hapur dhe janë përputhur me të gjitha rrethanat tona të brendshme. Ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë moment, dhe është nga ato momente, ku treni i historisë kalon përpara nesh, por duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk rri aty pafundësisht. Ne nuk duhet ta humbim këtë tren. Duke parë të gjitha ndryshimet në mbarë botën, është ekzistenciale që ne të jemi në BE. Këtu ka një punë për të bërë dhe duhet t’u flasim njerëzve për rëndësinë e këtij momenti. Ndeshim njerëz që e marrin lehtë apo kanë perceptim të gabuar për futjen në BE dhe iu duket se është diçka me rendësi relative, por kjo është me rëndësi jetike për Shqipërinë. Duke hyrë në BE Shqipëria mund të sigurojë lirinë individuale. Liria individuale e shqiptarëve është e kërcënuar sa kohë janë jashtë BE. Ne jemi autorë të reformë në drejtës, dhe bartës të kostove më të mëdha të këtij procesi. Përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani. Pra vetëm kur të hyjmë në BE nuk do të ketë rëndësi të madhe se kush qeveris këtu. Nga pikëpamja e të gjitha standardeve të bashkëjetesës. Po kaq konkrete është mundësia që shqiptarët të pajisen me pasaportën europiane të Shqipërisë. Pasaporta e BE buron nga hyrja në BE, ne duhet të bëhemi anëtarë që të marrim pasaportën dhe për çdo shqiptar është transformimi i plotë i jetës. Pasaporta e BE i jep çdo shqiptari atë që se ka pasur, dinjitetin e barabartë nën qiellin e përbashkët të Europës. I jep statusin që të mos shihet si qytetar i dorës së dytë. Bën një dallim të madh në shumë aspekte. I jep mundësinë çdo shqiptari, që kur të jetë në aeroport, të hyjë pa ndaluar përballë një polici, thjesht duke treguar pasaportë dhe të punojë ku të dojë nëse gjen mundësi për punë. Por edhe të jetë nën kujdesin e shërbimin shëndetësor. Nga se rrezikohet kjo? Edhe këneta thotë BE gjithë ditën…por vota duhet të shkojë tek PS sepse kjo është një dritare e hapur. Një tren që ka ndaluar në një kohë të caktuar, koha është në 2027. Deri në fund të 2027 do mbyllim negociatat. Negociatat janë një punë për ë qëruar oriz në çdo ligj, në çdo nen, në çdo sektor. Janë një mijë vetë në zyra që punojnë për negociatat. Asnjë lëkundje dhe ndalim i kësaj punë, apo çoroditje nuk duhet lejuar të ndodhë. 11 maj duhet të jetë vula e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për t’’i thënë kësaj skuadre vazhdoni punën, sepse drejtimi nuk lëviz dhe gjërat bëhen afat për afat. Është një moment që çdo shqiptar duhet ta kuptojë që është pjesë e këtij procesi…I kërkohet me votë të garantojë të gjithë punën që bëhet për negociatat dhe rezultati i parë do të jetë që do të marrë pasaportën europiane të Shqipërisë”, tha Rama.