Gjykata Kushtetuese ka reaguar publikisht mesditën e sotme ne lidhje me bujën mediatike ku thuhet se gjyqtarë të GJK janë vënë nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin.
Në një njoftim zyrtar, Gjykata Kushtetuese sqaron se ky insitucion distancohet nga çdo keqinterpretim dhe diskus mediatik, duke theksuar se procesi i vendimmarrjes, bazohet në parime dhe procedura ligjore.
GJK cilëson çdo pretendim tjetër si një ndërhyrje në pavarësinë e institucionit dhe për ta përfshirë në debate juridike për të paragjykuar vendimmarrjen konkrete, ndërsa vijon të shtojë se kjo gjykatë do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm.
Reagimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese, nisur nga debati mediatik i ditëve të fundit, për vënien nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme të një gjyqtari kushtetues, që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së tij, konsideron me rëndësi që të sqarojë opinionin publik se në ushtrimin e misionit kushtetues për garantimin e epërsisë së Kushtetutës, ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor.
Gjykata është e vetëdijshme për ndikimin që ka veprimtaria dhe forca e autoritetit të saj ndaj aktorëve politikë dhe institucionalë, ndaj medias, palëve në proces, ashtu edhe ndaj opinionit publik. Për këto arsye, Gjykata ndjek rregullat e transparencës në vendimmarrje, me qëllim krijimin dhe ruajtjen e besimit publik ndaj saj.
Gjykata ka shprehur edhe më parë bindjen se ushtrimi i veprimtarisë në një klimë besimi nga kushdo i shërben forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur, ndaj ka ngritur shqetësimin rreth keqinterpretimeve dhe përpjekjeve për ta përfshirë atë në debate të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrje konkrete dhe për të ndërhyrë në pavarësinë e saj.
Pa dashur të bëhet pjesë e asnjë diskursi mediatik, Gjykata vlerëson të theksojë se procesi vendimmarrës në ushtrimin e funksionit për dhënien e drejtësisë kushtetuese bazohet në parimet dhe procedurat e parashikuara nga korniza kushtetuese dhe ligjore, duke qenë çdo vendimmarrje rezultat i një procesi diskutimesh të mendimeve dhe qëndrimeve të secilit gjyqtar kushtetues, sipas bindjes së tij të brendshme, për të cilat gëzon imunitet të garantuar nga Kushtetuta në ushtrim të funksionit të tij.Gjykata, duke pranuar rëndësinë që ka në një shtet të së drejtës ushtrimi i kompetencave të çdo organi publik në respektim të kornizës kushtetuese dhe asaj ligjore, dëshiron të theksojë se ajo, sikundër ka vepruar deri më tani, do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm.
Kujtojmë që ditën e djeshme në media u publikuan disa dokumente ku dëshmohej se gjyqtari Gent Ibahimi është vendosur nën përgjim 15 ditor nga SPAK, lidhur me vendimin e dhënë për çështjen e të pandehurit Pëllumb Gjoka.Gent Ibrahimi është vendosur nën survejim pa një vendim gjykate me urdhër të prokurorit Klodian Braho dhe me miratim të Altin Dumanit, mbi dyshime të paarsyetuara, por duke argumentuar “në emër të dyshimit të arsyeshëm”.
Hetimet kanë nisur pas vendimit të dhënë nga GJK për çështjen e të pandehurit Pëllumb Gjoka, duke shtuar se ka dyshime për favorizim nga ana e gjyqtarëve, pasi vendimi i gjykatës ende nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare, duke çuar kështu në nisjen e vënies në përgjim të gjyqtarit Ibrahimi dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.