NGA SERVET GURA
Si në teori, ashtu edhe në praktikë, politika është e lidhur me besimin publik. Në politikë, çdo fjalë e një lideri politik, potent, mund të ndikojë fatin e vendit. Në këtë kontekst, lind një pyetje e rëndësishme: A është përputhja mes fjalëve dhe veprimeve një kusht i domosdoshëm për ruajtjen e besimit dhe integritetit në komunikimin politik?
Në teoritë e komunikimit politik, ky parim është gurë themeli për ndërtimin e lidhjeve të forta dhe të besueshme me qytetarët, të cilët sugjerohet se janë thelbësorë për qëndrueshmërinë dhe forcën e udhëheqësve politikë. Në këtë kontekst, çdo lider politik që synon të realizojë ndryshime të thella dhe të prekshme, duhet të jetë i gatshëm të përmbushë premtimet e tij. Fjala dhe veprimi janë dy shtylla të pandashme të këtij angazhimi. Një lider që thotë një gjë dhe bën diçka tjetër krijon një hendek të rrezikshëm midis pritshmërive dhe realitetit.
Ky hendek mund të shkaktojë humbje të shpejtë të besimit dhe autoritetit të liderit. Një shprehje popullore thotë: “Nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë”. Kjo thënie ka një kuptim të thellë dhe na kujton se hendeku midis fjalëve dhe veprimeve është shumë më i madhe se sa supozohet. Në mbarë botën, kudo që është krijuar, ky hendek ka ndikuar negativisht, duke shkaktuar një rënie të vazhdueshme të besimit publik në partitë politike dhe institucionet qeveritare – fakt ky, i konfirmuar nga sondazhe të shumta të realizuara vitet e fundit në mbarë botën. Prandaj, në këtë kontekst, përputhja e fjalëve dhe veprimeve është thelbësore për të ndërtuar një besim të qëndrueshëm. Në të kundërt, krijohet një boshllëk që dëmton marrëdhënien mes politikës dhe popullit.
Një nga shembujt më të njohur të këtij parimi është Martin Luther King Jr. Ai nuk ishte thjesht një orator i mirë – një folës i fuqishëm, por një lider që jetoi ashtu siç predikonte, duke treguar koherencë midis fjalëve dhe veprimeve të tij. Gjatë lëvizjes për të drejtat civile në SHBA, ai mori pjesë personalisht në marshimin e njohur si “E Diela e Përgjakshme” në qytetin Selma, një akt që i dha lëvizjes një peshë morale të jashtëzakonshme. Me veprimet e tij, King demonstroi përputhjen e plotë midis fjalëve dhe veprimeve, duke e bërë atë lider, një simbol të besueshmërisë dhe integritetit. Nga ana tjetër, shumë liderë të tjerë kanë dështuar në këtë aspekt. Një shembull i njohur është Maximilien Robespierre, udhëheqës i njohur i Revolucionit Francez. Shpesh ai mungonte në momentet më të rëndësishme kur populli kërkonte angazhime të menjëhershme dhe veprime konkrete.
Ky hendek që ai krijoi në marrëdhënien me revolucionarët, mungesa e angazhimit konkret, çoi në humbjen e shpejtë të besimit dhe për pasojë, në rënien e tij. Siç thotë Zhan-Zhak Ruso, një filozof i madh i epokës së Iluminizmit, shumë nga idetë e të cilit përqendrohen te marrëdhënia midis udhëheqësit dhe popullit, “një udhëheqës që nuk është në gjendje të ecë me popullin, është i dështuar”.
Ky është një mesazh i qartë për politikanët: nëse nuk veprojnë në përputhje me premtimet dhe thirrjet e tyre, rrezikojnë të humbasin lidhjen me elektoratin që përfaqësojnë. Një shembull tjetër është Benito Mussolini, i cili shpesh bëri thirrje për sakrifica dhe angazhime të mëdha nga populli italian, por vetë qëndroi larg çdo sakrifice. Kjo krijoi një hendek të madh midis thirrjes dhe angazhimit, që çoi në humbjen e mbështetjes dhe, për pasojë, në rënien e regjimit të tij. Ky është një mësim i rëndësishëm për politikanët: veprimi është çelësi i besimit dhe forcës politike. Në fushën e PRit dhe komunikimin politik, përputhja e fjalëve dhe veprimeve është jetike për të ruajtur besimin dhe autoritetin.
Një lider që premton ndryshime, por nuk i pason ato me veprime konkrete, krijon një hendek të madh besimi. Ky mosrakordim dëmton rëndë reputacionin e liderit dhe sjell pasoja të rënda për të dhe partinë që ai drejton. Ky fenomen mund të krahasohet me praktikat e “greenwashing”, të organizatave dhe entiteteve private që premtojnë angazhim për mbrojtjen e mjedisit, por në të njëjtën kohë vazhdojnë të përdorin praktika në dëm të natyrës. Edhe pse kjo ka lidhje kryesisht me sektorin privat, mund të shërbejë si një paralajmërim për politikanët që bëjnë thirrje për veprime të caktuara, por që, nuk i mbështesin ato me veprime konkrete, duke lënë qytetarët të konfuzuar dhe të pasigurt për qëllimet e tyre.
James Grunig, një nga teoricienët më të njohur të PR-it (komunikimit simetrik), thekson se suksesi i një organizate (në këtë rast i një force politike), është i lidhur ngushtësisht me aftësinë për të komunikuar në mënyrë transparente dhe për të vepruar në përputhje me pritshmërinë e audiencës. Kur kjo përputhje mungon, ndodh një “komunikim asimetrik” që dëmton thellë besimin dhe lidhjet me mbështetësit dhe grupet e interesit. Goditjen që i jep autoritetit të liderit kjo mospërputhje, askush nuk mund ta kalojë pa pasoja të rënda. Ndaj dhe përputhja midis fjalëve dhe veprimeve është shumë më shumë se një “defekt teknik” për menaxhimin e imazhit politik.
Ajo është një kërkesë thelbësore për ruajtjen e besimit dhe autoritetit, si dhe për ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme me qytetarët. Politikanët që dështojnë të veprojnë në përputhje me premtimet e tyre, jo vetëm që humbasin besimin e publikut, por rrezikojnë të krijojnë një hendek të thellë që mund të dëmtojë rëndë reputacionin dhe ndikimin e tyre. Për këtë arsye, fjala dhe veprimi duhet të jenë gjithmonë të sinkronizuara, pasi vetëm kështu mund të ndërtohet një lidhje e fortë dhe e qëndrueshme me qytetarët.