Një debat i pazakontë po ndan punonjësit në zyra: çfarë është e pranueshme të hash në tavolinën e punës dhe cilat ushqime mund të kthehen në bezdi për kolegët? Nga peshku i ngrohur në mikrovalë te vezët e ziera dhe ushqimet që lënë thërrime në tastierë, dreka në zyrë po kthehet në një çështje etikete dhe marrëdhëniesh mes kolegëve. Disa e konsiderojnë të papranueshme erën e fortë të ushqimit, ndërsa të tjerë këmbëngulin se nuk duhet gjykuar askush për atë që ha.
Peshku duket se është shkelja më e madhe e etikës së pashkruar të zyrës. Një drejtues kompanie rekrutimi tregoi se i kërkoi një punonjësi të mos sillte më peshk, pasi era kishte shkaktuar shqetësim fizik te një kolege shtatzënë. Edhe vezët e ziera janë kthyer në objekt debatesh, ndërsa një punonjës rrëfeu se ushqimi i tij i preferuar, pretzelët me kanellë, linin sheqer dhe thërrime në tastierën e kompjuterit.
Përtej menusë, debati ngre një tjetër pyetje: a duhet dreka të konsumohet përpara ekranit apo të jetë një pushim i vërtetë? Sipas një raporti të vitit 2025 nga Just Eat, 56% e punonjësve të brezit Z merrnin një pushim të plotë dreke, ndërsa millennials ishin më të prirur të hanin në tavolinën e punës. Ekspertët e punësimit këshillojnë që punonjësit të shkëputen nga ekrani, pasi pushimi ndihmon shëndetin fizik dhe mendor, ndërsa në zyrë, ndonjëherë, respekti për kolegët fillon pikërisht nga ajo që vendosim në mikrovalë.











