Zinedine Zidane ka reaguar pas shortit të Nations League, që vendosi Francën përballë Spanjës në çerekfinale.
Trajneri francez theksoi se përballja nuk duhet parë si një hakmarrje për gjysmëfinalen e fundit të Botërorit, ku Franca u eliminua nga Spanja.
“E dinim që do të përballeshim me një skuadër të fortë. Do të jetë Spanja, kampionia e botës. E njohim shumë mirë”, deklaroi Zidane për faqen zyrtare të Federatës Franceze.
Ai shtoi se sfida e marsit është një histori krejt tjetër.
“Nuk është një hakmarrje për gjysmëfinalen e Botërorit. Është një kompeticion tjetër, me një grup të ri. Objektivi mbetet i njëjtë: të arrijmë në finale dhe ta fitojmë Nations League.”
Zidane pranoi se Franca do të analizojë me kujdes ndeshjet e fundit të Spanjës, por theksoi se në këtë fazë të kompeticionit nuk ka rrugë të lehtë.
“Nëse dëshiron të ecësh përpara dhe ta fitosh trofeun, duhet të përballesh dhe të eliminosh skuadrat më të mira.”
Trajneri francez do të ketë edhe disa muaj në dispozicion për të vlerësuar lojtarët përpara dy sfidave të marsit.
“Do të vazhdojmë të ndjekim lojtarët që ishin me ne në nëntor, por edhe të tjerët, për të përgatitur grupin më të mirë të mundshëm për këtë sfidë.”
Spanja dhe Franca do të përballen mes 25 dhe 30 marsit, ndërsa Franca do të ketë avantazhin e zhvillimit të ndeshjes së kthimit në shtëpi.











