Një incident i pazakontë ka trazuar Manchester United, vetëm pak ditë pas emërimit të Mauricio Pochettinos në krye të skuadrës. Seanca e parë stërvitore e trajnerit argjentinas është filmuar nga një dron pranë qendrës stërvitore Carrington, ndërsa pamjet janë publikuar në internet.
Videoja, me një kohëzgjatje prej rreth 12 minutash, u shpërnda në YouTube dhe tregonte Pochettinon duke drejtuar ushtrimet me lojtarët, të cilët ishin ndarë në tri grupe.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi privatësinë dhe sigurinë e përgatitjeve të skuadrës, sidomos në prag të përballjes së madhe ndaj Liverpoolit në Anfield, të dielën, më 22 nëntor.

Manchester United nuk ka pranuar të komentojë publikimin e pamjeve.
Zhvillimet nuk përfunduan me publikimin e videos. Mëngjesin e 20 nëntorit, personi që kishte filmuar stërvitjen kërkoi falje publike, duke e cilësuar veprimin e tij një gabim në gjykim. Ai pranoi se, edhe pse sipas tij fluturimi i dronit ishte i ligjshëm, filmimi i seancës nuk kishte qenë etik.
Operatori njoftoi se e kishte fshirë videon nga kanali i tij në YouTube dhe sqaroi se Liverpooli apo ndonjë klub tjetër nuk kishte pasur lidhje me vendimin për të filmuar stërvitjen. Megjithatë, pamjet ishin shpërndarë tashmë gjerësisht në rrjetet sociale.
Incidenti vjen në një moment delikat për Manchester United, që po përgatitet për debutimin e Pochettinos në stol kundër rivalëve historikë të Liverpoolit.











