Pas 13 vitesh pritjeje, rikthimi i një prej serive më të famshme të videolojërave, “Grand Theft Auto”, ka shkaktuar një bujë të madhe në mbarë botën. GTA 6 është kthyer menjëherë në një nga temat më të diskutuara, duke marrë vëmendjen e kritikëve dhe miliona fansave. Loja e zhvilluar nga Rockstar Games sjell një botë virtuale më të detajuar, personazhe të rinj dhe një histori që zhvillohet në shtetin imagjinar Leonida, me Vice City në qendër të ngjarjeve.
Por mes gjithë diskutimeve për rikthimin e shumëpritur, vëmendje të veçantë në rrjetet sociale kanë tërhequr edhe disa pamje ku shfaqen personazhe shqiptare. Në videot që po qarkullojnë online, dëgjohen gjithashtu dialogë në gjuhën shqipe, duke ngjallur interes dhe reagime të shumta nga përdoruesit shqiptarë. Prania e elementeve shqiptare në lojë është kthyer në një nga detajet më të komentuara nga publiku vendas.
GTA 6 konsiderohet një nga projektet më ambicioze dhe më të kushtueshme në historinë e industrisë së videolojërave. Pritshmëritë për të kanë qenë gjigante, ndërsa rikthimi i saj ka rikthyer në qendër të vëmendjes një fenomen që prej vitesh ka mbledhur miliona lojtarë në mbarë botën. Këtë herë, përveç aventurave në Vice City, shqiptarët kanë edhe një arsye më shumë për ta ndjekur nga afër lojën.











