Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka folur gjerësisht për eksperiencën e tij me kuqezinjtë në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, duke u ndalur te lidhja me tifozët, suksesi në Nations League dhe objektivat e radhës.
Maran e cilësoi të veçantë marrëdhënien mes Kombëtares dhe publikut shqiptar, duke theksuar se rikthimi i entuziazmit ka qenë një nga arritjet më të rëndësishme të muajve të fundit.
“Populli shqiptar e dashuron Kombëtaren në mënyrë të jashtëzakonshme. Kur luajmë në Tiranë, stadiumi është gjithmonë plot dhe atmosfera është shumë e zjarrtë. Edhe në transfertë na ndjekin shumë tifozë. E ndiejmë përgjegjësinë për t’i dhuruar kënaqësi një populli të tërë”, u shpreh Maran.
Tekniku italian e konsideroi pozitiv bilancin e gjashtë muajve të parë në krye të Shqipërisë, pas fitimit të grupit në Nations League dhe ngjitjes nga Liga C në Ligën B.
“Arritëm numrin më të lartë të pikëve të regjistruara ndonjëherë, shënuam më shumë gola dhe pësuam më pak. Por kënaqësia më e madhe është se kemi rikthyer entuziazmin dhe besimin te skuadra.”
Objektivi i madh tashmë është kualifikimi në EURO 2028.
“Skuadra është konkurruese, ka cilësi teknike dhe njerëzore. Pavarësisht kundërshtarëve, shpresojmë të arrijmë kualifikimin”, deklaroi trajneri kuqezi.
Maran foli gjithashtu për punën e përditshme me Federatën Shqiptare të Futbollit, duke treguar se udhëton vazhdimisht për të ndjekur lojtarët që aktivizohen jashtë Shqipërisë.
“Më shumë se 90% e lojtarëve luajnë jashtë vendit. Më ka ndodhur të vizitoj katër shtete në pesë ditë. Po monitorojmë gjithashtu lojtarët me dy pasaporta që mund të jenë të interesuar të luajnë për Shqipërinë.”
Një prej emrave të përmendur ishte Elia Caprile. Maran konfirmoi se portieri i Cagliarit ka marrë pasaportën shqiptare, por procedurat nuk janë përfunduar ende.
“Nëse do të ishte i disponueshëm, sigurisht që do të na bënte punë.”
Trajneri foli edhe për disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës. Për Rey Manajn, ai theksoi profesionalizmin dhe formën e mirë, ndërsa për Cristian Shpendin u shpreh se do të ketë mundësitë e tij në të ardhmen.
Për Elseid Hysajn, Maran pranoi se e habit fakti që mbrojtësi vazhdon të jetë pa klub.
“Kur vjen në Kombëtare, duket sikur është një lojtar që luan rregullisht. Është ende në moshën e duhur për të luajtur në nivele të larta. Nuk e kuptoj pse nuk i jepet besim.”
Fjalë pozitive edhe për Ernest Muçin:
“Ernesti ka një goditje fantastike dhe shumë cilësi teknike. Te Trabzonspor po stërvitet me Salah dhe përpiqet të mësojë prej tij.”
Në fund, Maran foli edhe për jetën në Tiranë dhe ambientin që ka gjetur në Shqipëri.
“Është një qytet mikpritës dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Njerëzit më njohin dhe pasioni i shqiptarëve më jep shumë kënaqësi. Më mbush me krenari, por edhe me përgjegjësi.”











