Presidenti i Bayern Munich, Herbert Hainer, ka konfirmuar se ka diskutuar me Florentino Pérez për Michael Olise, emër që gjatë verës u lidh fort me një transferim te Real Madridi.
Sulmuesi francez ishte një nga lojtarët më të përfolur në merkato, por në fund Real Madridi vendosi të investonte te Yan Diomande.
Hainer, në një intervistë për t-online, shpjegoi se Olise ndihet shumë mirë në Mynih dhe se klubi nuk shqetësohet për të ardhmen e tij.
“Michael ndihet si në shtëpi këtu dhe e di shumë mirë çfarë ka te Bayern Munich”, deklaroi presidenti bavarez.
Hainer zbuloi gjithashtu se kishte folur drejtpërdrejt me Florentino Pérez për francezin. Sipas tij, presidenti i Real Madridit i kishte bërë të qartë se klubi spanjoll nuk kishte zhvilluar bisedime as me Olise dhe as me agjentin e tij.
“Florentino më tha se Real Madridi nuk kishte folur me lojtarin apo përfaqësuesit e tij dhe se nuk kishte ndërmend ta bënte”, shpjegoi Hainer.
Për këtë arsye, Bayern mbetet i qetë për të ardhmen e 24-vjeçarit, i cili ka kontratë deri në vitin 2029.
“Ne jemi të qetë. Objektivi ynë është që Michael të qëndrojë për një kohë të gjatë te Bayern Munich dhe të mos mendojë fare për mundësinë e një transferimi te Real Madridi”, përfundoi Hainer.











