Ish-kapiteni i Anglisë dhe legjenda e Manchester United, Wayne Rooney, ka zbuluar se gjatë karrierës së tij si futbollist ka kaluar një periudhë të rëndë psikologjike, deri në atë pikë sa kishte menduar t’i jepte fund jetës. Në një intervistë në podcastin “Life at the Midpoint”, 41-vjeçari tregoi se, ndërsa në fushë po përjetonte kulmin e karrierës, jashtë saj po përballej me probleme serioze të shëndetit mendor dhe varësinë nga alkooli.
Rooney rrëfeu se në mesin e të njëzetave mbyllej në shtëpi për dy ditë me radhë dhe konsumonte alkool, duke shmangur kontaktet me njerëzit. Ai tha se nuk dëshironte të dilte në rrugë apo të shkonte në dyqane dhe se arriti në një pikë ku mendonte për vetëvrasjen. Këto probleme, sipas tij, e çuan martesën pranë fundit, ndërsa ai nisi të ndiqte edhe seanca terapie për të kuptuar gjendjen në të cilën ndodhej.
Ish-futbollisti tha se bashkëshortja e tij, Coleen, luajti një rol vendimtar në kapërcimin e kësaj periudhe. Ai pranoi gjithashtu se kultura e futbollit, ku shfaqja e dobësisë shihej si diçka e papranueshme për një burrë, e kishte bërë edhe më të vështirë kërkimin e ndihmës. Rooney, i cili shënoi 253 gola për Manchester United, theksoi se problemet personale nuk ndikonin në paraqitjet e tij në fushë, por se jeta jashtë futbollit ishte një betejë krejt tjetër.











