Familjarë, të afërm, miq dhe kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit oficerit të Policisë së Shtetit, Ermal Lulaj, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor në autostradën Fier-Vlorë, pranë Novoselës.
Homazhet në nderim të tij janë zhvilluar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku kolegë dhe drejtues të Policisë së Shtetit kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe kanë kujtuar figurën e 41-vjeçarit.
Ermal Lulaj mbante detyrën e shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Ai ishte baba i tre fëmijëve të mitur dhe largohet nga jeta në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe kolegët.
Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në aksin Fier-Vlorë, ku automjeti Toyota me të cilin udhëtonte efektivi i policisë u përplas me një mjet të tonazhit të rëndë, skrep.
Si pasojë e përplasjes, Ermal Lulaj humbi jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i skrepit u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Humbja e parakohshme e 41-vjeçarit ka tronditur familjen, miqtë dhe kolegët e tij, të cilët do ta kujtojnë si një profesionist dhe një njeri të përkushtuar.











