Drita e bardhë dhe e fortë në tavan po humbet terren në ambientet e shtëpive, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin ndriçimin e butë, llambat dekorative dhe burimet e vogla të dritës. Trendi njihet në rrjetet sociale si “anti-big light” dhe është kthyer në një nga temat e fundit të lifestyle-it, duke nxitur interes për mënyra të thjeshta për ta bërë shtëpinë më të ngrohtë dhe më relaksuese.
Në vend të një burimi të vetëm drite që ndriçon të gjithë dhomën, ideja është të përdoren disa pika ndriçimi: një llambë pranë divanit, drita të fshehura pas mobilieve, abazhurë me ndriçim të ngrohtë apo edhe ndriçues të vegjël dekorativë. Në këtë frymë po përhapen edhe pajisje të papërshkueshme nga uji, që vendosen në dush për të krijuar një atmosferë të ngjashme me atë të një spa-je.
Revista TODAY e përfshiu këtë prirje në raportin e saj të trendeve të nëntorit, duke vënë në dukje interesin në rritje për ndriçimin alternativ dhe krijimin e një atmosfere më të këndshme në shtëpi. Përtej pamjes estetike, ky trend pasqyron dëshirën për ta kthyer shtëpinë në një hapësirë ku njerëzit mund të shkëputen nga ritmi i ngarkuar i ditës.











