“Quajeni një rreze dielli RAYE”. Kështu e përshkruan Associated Press suksesin e këngëtares britanike, e cila kryeson listën e nominimeve për çmimet Grammy 2027. Akademia e Regjistrimit shpalli këtë të hënë emrat e artistëve në garë, me RAYE në krye, me plot 11 nominime.
Këngëtarja është nominuar në tri kategoritë kryesore: albumi, kënga dhe regjistrimi i vitit, për herë të parë në karrierën e saj. Ajo garon gjithashtu në kategorinë e kompozitores së vitit dhe në disa kategori të muzikës pop, falë albumit “This Music May Contain Hope” dhe hitit “Where Is My Husband!”. Me 11 nominime, RAYE barazon rekordin e Beyoncé-s për numrin më të madh të nominimeve të marra nga një artiste femër brenda një viti.
Pas saj renditet këngëtarja spanjolle Rosalía me nëntë nominime, ndërsa Miranda Lambert, Olivia Rodrigo, Phoebe Bridgers dhe Ella Langley kanë nga shtatë secila. Bruno Mars, Leon Thomas dhe Olivia Dean sigurojnë nga gjashtë nominime.
Një tjetër moment historik shënohet nga Beyoncé, e cila arrin në 100 nominime përgjatë karrierës së saj, duke mbetur artistja më e nominuar në historinë e Grammy-ve. Ceremonia e 69-të e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 7 shkurt 2027, në Los Angeles.










