Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Prizren ku bëhet me dije se një 26-vjeçare e identifikuar si Blerta Hyseni, e cila u ndalua dje nga Policia pasi u kap me kokainë në makinë, ka humbur jetën në komisariat, pas marrjes në pyetje nga hetuesit.
Sipas asaj që shkruajnë mediat vendase, mësohet se Hyseni është ndjerë keq gjatë intervistimit. Për rrjedhojë ajo është transportuar me urgjencë për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Prizrenit, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve ajo ka dhënë frymën e fundin në duart e bluzave të bardha.
E gjithë ngjarja ndodhi pasditen e djeshme kur Antidroga u vu në lëvizje në pikën kufitare të Vërmicës, pas informatave se shtetasit Blerta Hyseni dhe Adnan Podvorica po udhëtonin drejt Kukësit, me dyshimin se do të furnizoheshin me kokainë.
Rreth orës 18:00, policia ndaloi një BMW X6 të kuqe, menjëherë pasi kishte hyrë në territorin e Kosovës. Në timon ishte Podvorica, ndërsa në ulësen e pasagjerit ndodhej Hyseni. Antidroga vijoi menjëherë meë kontrollin ndaj makinës me të cilën lëviznin dyshja, ndërsa bëhet me dije se u gjetën rreth 105.7 gramë substancë të dyshuar kokainë.
Gjithashtu, u sekuestruan dy fishekë të kalibrit 9 mm, dy telefona iPhone dhe vetura.
Aksioni policor u zhvilluar dhe më tej në Bardhosh të Prishtinës, ku hetuesit kontrolluan shtëpinë dhe lokalin “Siena Bar” të Podvoricës. Në shtëpinë e këtij të fundit nuk u gjet asgjë e dyshimtë, ndërsa në lokal u sekuestrua një pajisje për identifikimin e GPS-it dhe kamerave.
Pas konsultimit me Prokurorinë Themelore në Prizren, u dha urdhër që të dy personat të intervistoheshin si të dyshuar për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shitjen ose shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve dhe më pas të ndaloheshin për 48 orë.
Mirëpo, pas marrjes në pyetje të dyshes, ngjarja u përmbyll në mënyrë tragjike pasi Blerta Hyseni u ndje keq që në ambientet e Komisariatit, nga ku u mor me urgjencë dhe u transportua në spital.
Fatkeqësisht, ndonëse bluzat e bardha u munduan për ta mbajtur në jetë, Hyseni vdiq në spital.











