Portugalia po përgatitet për ndeshjen e parë pas tërheqjes së Cristiano Ronaldos nga Kombëtarja dhe fanella ikonike me numrin 7 do të jetë në qendër të vëmendjes.
Federata Portugeze ka prezantuar një variant të ri grafik të numrit 7, me një ndryshim të vogël në dizajn, për të bërë dallimin mes fanellës së epokës së Ronaldos dhe asaj që do të përdoret tashmë nga pasuesit e tij.
“Koha për të prezantuar një 7 të ri. Sepse njëri do të jetë i përjetshëm”, ishte mesazhi i publikuar nga Portugalia.
Homazhi do të vazhdojë edhe përpara ndeshjes së Nations League ndaj Danimarkës. Të gjithë lojtarët portugezë do të dalin në fushë me fanellën me numrin 7, ndërsa në minutën e shtatë është planifikuar edhe një moment special nga tifozët në stadiumin e Bragës. Të dyja iniciativat kanë marrë miratimin e UEFA-s.
Për ndeshjen, fanella me numrin 7 do t’i përkasë Carlos Forbs. 22-vjeçari i Club Brugge bëhet kështu lojtari i parë që e mban atë pas largimit përfundimtar të Ronaldos, edhe pse kjo zgjedhje konsiderohet e përkohshme.
Rafael Leão shihet si kandidati kryesor për ta trashëguar numrin në të ardhmen, por për momentin nuk ka një vendim zyrtar. Sulmuesi mungon në këtë grumbullim për shkak dëmtimi.
Edhe jashtë fushës, Portugalia ka ruajtur një simbol të epokës së CR7. Dhoma që Ronaldo përdorte gjatë grumbullimeve në qendrën stërvitore është lënë bosh për këtë grumbullim.
Portugalia dhe Danimarka përballen këtë të shtunë në Braga, në një mbrëmje ku përtej rezultatit, numri 7 do të ketë një domethënie krejt të veçantë.











