Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në zonën e Xhamllikut, në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:50, në rrugën “Sadik Petrela”, ku një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse ishte vendosur në derën e jashtme të apartamentit të një 47-vjeçareje, me inicialet A. M.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të vogla materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Ngjarja ka shkaktuar panik te banorët e zonës, të cilët janë zgjuar nga zhurma e fortë e shpërthimit.
Sipas informacioneve paraprake, pronarja e banesës është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të jetë autori i ngjarjes.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.











