Toni Kroos ka vlerësuar futbollin ofensiv të Barcelonës, por ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e skuadrës së Hansi Flick për të konkurruar deri në fund në Champions League.
Ish-mesfushori i Real Madridit e konsideron Barçën mes skuadrave më të forta në Europë, së bashku me Bayern Munich dhe PSG, por beson se sistemi shumë ofensiv mund të kthehet në problem ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë.
“Barcelona gjithmonë përpiqet të krijojë më shumë raste se kundërshtari, por në Champions përballesh me skuadra që mund të të shënojnë disa gola. Ka momente kur duhet të dish edhe të mbrohesh”, deklaroi Kroos.
Gjermani veçoi si rrezik të madh vijën shumë të lartë të mbrojtjes dhe hapësirat që krijohen pas saj. Sipas tij, Barça nuk ka mjaftueshëm mbrojtës të aftë për të menaxhuar duelet një kundër një me shumë hapësirë pas shpine.
Përjashtim, sipas Kroos, është Pau Cubarsí, të cilin e cilësoi “qartësisht mbrojtësin më të mirë” të Barcelonës.
“Me lojtarë si Upamecano ose Davies nuk do të shqetësohesha për 30 metra hapësirë pas tyre. Me Cancelo, Gerard Martín dhe lojtarë të ngjashëm situata bëhet shumë më e vështirë”, shtoi ai.
Kroos theksoi se në çerekfinale apo gjysmëfinale të Champions League nuk është gjithmonë e mundur të fitosh duke shënuar shumë gola dhe se Barcelona duhet të jetë në gjendje të fitojë edhe ndeshje ku nuk dominon me topin.
Megjithatë, ish-mesfushori gjerman pati fjalë të mëdha për Lamine Yamal, duke veçuar paraqitjen e tij ndaj Atlético Madridit.
“25 minutat e para të tij ishin të jashtëzakonshme. Ishte një nga ato paraqitje që të bëjnë të mendosh se një lojtar mund ta ndryshojë ndeshjen i vetëm.”
Kroos përfundoi duke pranuar se e pëlqen shumë mënyrën e lojës së Barcelonës, por mbetet skeptik nëse cilësia aktuale në mbrojtje është e mjaftueshme për të fituar Champions League.











