09 nënor 2026 – Autori i sulmit me armë zjarri në Krakov të Polonisë, ku më 7 nëntor humbën jetën gjashtë persona, ka ndërruar jetë në spital. 25-vjeçari Michal Oksinski u plagos gjatë ndërhyrjes së policisë, pas të shtënave në sheshin kryesor të qytetit.
Ngjarja tronditi vendin dhe nxiti masa të shtuara sigurie, ndërsa autoritetet polake kanë deklaruar se sulmi mund të jetë nxitur nga ideologjia e ekstremit të djathtë. Polonia shpalli katër ditë zie kombëtare.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në banesën e 25-vjeçarit, në qytetin Ostrowiec Swietokrzyski, rreth 200 kilometra larg Krakovit, policia ka gjetur trupat e pajetë të prindërve dhe motrës së tij. Të tre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Në banesë u gjetën gjithashtu armë dhe një sasi e konsiderueshme municionesh.
Sulmi në sheshin historik të Krakovit la gjashtë persona të vdekur dhe 16 të plagosur, mes tyre edhe dy efektivë policie. Një prej viktimave ishte shtetas britanik dhe një tjetër austriak. Ndërsa mes të plagosurve kishte shtetas nga Austria, Britania e Madhe, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.
Sipas mediave polake, 25-vjeçari mbërriti në shesh me një automjet tip Subaru të zi, pa targa, dhe hapi zjarr ndaj kalimtarëve me një pushkë gjysmëautomatike të tipit AR-15. Dëshmitarët thanë se ai ishte i veshur me rroba kamuflazhi ushtarake dhe se të shtënat u dëgjuan në disa momente dhe në zona të ndryshme.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwinski, deklaroi se gjithçka tregonte se autori kishte pasur bindje “shumë radikale” dhe ishte “i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë”. Këto deklarata shkaktuan reagime nga partia nacionaliste dhe konservatore PiS, e cila kërkoi që ministri të paraqiste provat ku ishte mbështetur.
Një ditë më vonë, Kierwinski tha se nuk tërhiqej nga deklaratat e tij, por theksoi se motivet e sulmuesit po hetoheshin. “Ne nuk po japim një gjykim përfundimtar. Gjithmonë ka hipoteza fillestare, informacione dhe prova. Këto janë çështje që po verifikohen nga policia dhe nuk do të zgjatem më tej. Askush nuk po tërhiqet nga ato që ka thënë”, u shpreh ai për televizionin TVN24.
Për autorin dihet pak, përveç faktit se ishte anëtar i një klubi qitjeje. Pas sulmit, policia shtoi masat e sigurisë në Varshavë dhe qytete të tjera të Polonisë. Në Krakov, Sheshi Kryesor dhe rrugët përreth u mbyllën për publikun përpara se të rihapeshin të dielën në mbrëmje. Disa kafene në zonë qëndruan të mbyllura, ndërsa flamujt në godinën e bashkisë u ulën në gjysmështizë.
Në shenjë zie, u pezullua për 12 orë edhe tradita e rënies së borisë çdo orë nga Kisha e Shën Marisë, e vendosur në shesh. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve PAP, kjo ishte hera e parë që ndodhte një pezullim i tillë që nga viti 1939.
Edhe në kryeqytet u përforcuan masat e sigurisë, veçanërisht në zonat e frekuentuara nga turistët. Policia vendosi barriera në rrugët që të çojnë drejt Krakowskie Przedmiescie, në qendrën historike të Varshavës.
Sulmi ka tronditur ndjenjën e sigurisë në Poloni, një vend që deri më tani konsiderohej më i sigurt se shumë shtete të tjera të Evropës Perëndimore. Ngjarja ka shtuar shqetësimet e qytetarëve për përhapjen e ideve ekstremiste dhe dhunës, veçanërisht pas disa incidenteve të tjera të rënda të ndodhura në vend gjatë javëve të fundit.
Gazeta polake “Rzeczpospolita” shkroi në një editorial se sulmi i dha “një fund brutal epokës kur Polonia konsiderohej një ishull sigurie”. Ndërkohë, autoritetet dhe qytetarët kanë vlerësuar ndërhyrjen e policisë, e cila arriti të neutralizonte autorin gjatë përplasjes me armë në distancë të afërt.











