Shërbimi Sekret amerikan ka arrestuar një burrë të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili dyshohet se kishte kërcënuar se do të vriste presidentin Donald Trump. I arrestuari është identifikuar si Ronny Guanipa-Chrinos, shtetas venezuelian, i cili u zbulua në një automjet të vjedhur në Constitution Avenue, pranë kompleksit presidencial, pak para mesnatës së së enjtes.
Gjatë kontrollit të automjetit, autoritetet gjetën tre armë zjarri: një pistoletë automatike MAC-10, një pistoletë Glock 43x dhe një pushkë AR-15, si dhe dhjetëra fishekë. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i dyshuari u kishte thënë oficerëve se dëgjonte zëra që e udhëzonin të shkonte në Uashington dhe të vriste presidentin. Kjo deklaratë nuk figuron në dokumentin gjyqësor të bërë publik.
Guanipa-Chrinos përballet me disa akuza, përfshirë përdorimin e paautorizuar të një automjeti, mbajtjen e armëve pa leje dhe posedimin e një automjeti të vjedhur. Ai doli për herë të parë para gjykatës të premten dhe mbahet në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht. Hetuesit po shqyrtojnë rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet për kërcënimin ndaj presidentit.











