Portugalia ka publikuar listën e parë zyrtare pa Cristiano Ronaldon pas më shumë se dy dekadash, ndërsa trajneri Jorge Jesus është përballur me një konferencë shtypi të dominuar pothuajse tërësisht nga pyetjet për kapitenin historik të “Seleção”.
Portugalinë e presin sfidat ndaj Danimarkës më 14 nëntor dhe Uellsit më 17 nëntor në Nations League, por vëmendja ishte te vendimi i Ronaldos për t’i dhënë fund karrierës me kombëtaren.
“Duke iu referuar fjalëve të Cris, objektivi ynë është rinovimi dhe e ardhmja”, deklaroi Jorge Jesus.
Trajneri pranoi se kishte menduar për një rikthim të Ronaldos në skuadër, por theksoi se vendimi për largim i përket vetëm lojtarit.
“Sigurisht që mendova se do të rikthehej. Mendova ta grumbulloja dhe të flisja me të. Por duhet ta respektoj. Ai vendosi se ishte momenti për t’u larguar nga kombëtarja. Herët apo vonë kjo duhej të ndodhte.”
Jorge Jesus zbuloi gjithashtu se nuk kishte marrë ndonjë njoftim paraprak për vendimin.
“E mora vesh dje, si të gjithë të tjerët, pas videos që publikoi Cristiano. Nuk tentova të flisja me të.”
Portugezi theksoi se largimi i Ronaldos ishte diçka që pritej të ndodhte gjatë mandatit të tij, i cili shtrihet deri në vitin 2030.
“Gjatë kontratës sime katërvjeçare me Federatën, kjo do të ndodhte në një moment. Nëse jo tani, do të ndodhte më vonë. Nëse ai do të mendonte se një moment tjetër ishte më i përshtatshëm, do ta mbështesja sërish vendimin e tij.”
Jorge Jesus mohoi gjithashtu se mes tij dhe Ronaldos kishte mbetur ndonjë konflikt pas episodit të grumbullimit të fundit.
“Nuk ka inate. Të gjitha vendimet e mia janë marrë duke menduar për skuadrën. Si trajner, gjithmonë kam mbrojtur atë që mendoja se ishte më e mira për ekipin.”
Kur u pyet nëse ndihej përgjegjës për largimin e Ronaldos, përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë.
“Ndoshta kam vepruar me nxitim, por nuk ishte faji im. Nuk ndihem fajtor për asgjë në lidhje me largimin e tij.”
Pavarësisht tensioneve të kohëve të fundit, Jorge Jesus theksoi se figura e Cristiano Ronaldos nuk mund të zbehet.
“Karriera e tij nuk mund të harrohet. Ai do të mbetet gjithmonë një simbol. Gjatë këtij viti e gjysmë krijova edhe një miqësi të madhe me të.”
Lista e re e Portugalisë përmban shtatë emra të rinj, ndërsa trajneri ka bërë të qartë se tashmë fokusi është te rinovimi i skuadrës.
Mes prurjeve spikat Gustavo Varela, 21-vjeçari i Monzas, i cili po zhvillon një sezon të fortë në Serie A dhe numëron nëntë gola.
Për herë të parë pas më shumë se 20 vitesh, Portugalia nis një kapitull të ri pa Cristiano Ronaldon.











