Gjykata e Posaçme shqyrton sot kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burgim, të dhënë ndaj tij në vitin 2021 për fshehje pasurie.
Afro pesë vite pas vendimit të formës së prerë, Llalla kërkon që dënimi të konsiderohet i parashkruar, duke argumentuar se ka kaluar një periudhë sa dyfishi i kohëzgjatjes së dënimit pa e vuajtur atë.
Ky është një argument që është përdorur edhe nga persona të tjerë të dënuar, të cilët, duke iu shmangur drejtësisë, kanë qëndruar në kërkim deri në plotësimin e afateve të parashkrimit.
Gjatë hetimeve ndaj tij, në kulmin e procesit, Llalla u largua drejt Italisë. Megjithatë, çështja penale vijoi të shqyrtohej në Shqipëri. Ai u arrestua në Itali dhe u la nën masa mbikëqyrjeje, por nuk iu dorëzua autoriteteve shqiptare.











