Një 49-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri me motomjet në Rrugën e Elbasanit. I arrestuari, me precedentë të theksuar penalë për krime kundër jetës dhe armëmbajtje pa leje, dyshohet se kishte si qëllim trafikimin e armës.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit “Eksponenti” u bë arrestimi i shtetasit Eduart Dushku, 49 vjeç, banues në Tiranë.
Motomjeti me të cilin ai po lëvizte u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit, ku gjatë verifikimeve u gjet një pistoletë me municion, të cilën dyshohet se 49-vjeçari do ta trafikonte.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku efektivët gjetën dhe sekuestruan një jelek antiplumb.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu arma e zjarrit me municion, motomjeti dhe telefoni celular i të arrestuarit.











