Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin dhënien e rreth 4 miliardë dollarëve ndihmë vjetore për Izraelin nga viti 2027, por do të vijojnë t’i shesin armë aleatit të tyre kryesor në Lindjen e Mesme. Njoftimi u bë nga presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një interviste telefonike për televizionin Fox News, në ditën e zgjedhjeve të mesmandatit. Ai tha se kishte diskutuar prej disa vitesh këtë çështje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe se të dy kishin rënë dakord për përfundimin e ndihmës financiare.
Trump argumentoi se Izraeli është tashmë mjaftueshëm i fuqishëm ekonomikisht për të financuar vetë nevojat e tij ushtarake dhe se nuk ka më nevojë për këtë mbështetje amerikane. Megjithatë, ai theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë të furnizojë vendin me armatime dhe do të ofrojë ndihmë nëse do të jetë e nevojshme. Presidenti amerikan e lidhi gjithashtu vendimin me debatet e brendshme politike në SHBA, duke thënë se ndihma për Izraelin është kthyer në një argument të përdorur nga kandidatët demokratë për të kritikuar administratën e tij.
Vendimi ngre pikëpyetje për të ardhmen e marrëveshjes dhjetëvjeçare të sigurisë, të nënshkruar në vitin 2016 gjatë administratës së Barack Obamës, e cila parashikon 38 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin deri në vitin 2028, ose rreth 3.8 miliardë dollarë në vit. Ende nuk është e qartë se si do të zbatohet ndërprerja e parakohshme dhe cilat programe do të preken, pasi ndryshimi mund të kërkojë edhe përfshirjen e Kongresit amerikan. Zyra e Netanyahut nuk kishte reaguar menjëherë ndaj deklaratës së Trumpit, ndërsa lideri i opozitës izraelite Yair Golan paralajmëroi se ndërprerja e ndihmës do të ishte një goditje për sigurinë e vendit.











