Miliona amerikanë votojnë këtë të martë në zgjedhjet e mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin amerikan gjatë dy viteve të fundit të mandatit të presidentit Donald Trump. Megjithatë, pavarësisht mbylljes së qendrave të votimit, rezultatet përfundimtare mund të kërkojnë disa orë, ditë apo edhe javë. Sipas BBC-së, rezultatet e para pritet të publikohen pas orës 23:00, sipas orës shqiptare, por ato do të vijnë fillimisht nga shtete ku gara konsiderohet relativisht e sigurt për njërën prej partive.
Vëmendja do të përqendrohet te shtetet ku gara është më e ngushtë. Në Ohio, qendrat e votimit mbyllen në orën 00:30 pas mesnate, ndërsa në Maine në orën 01:00. Më pas pritet të vijnë rezultatet nga shtete të tjera të rëndësishme, përfshirë Teksasin, Kansasin dhe Iowan. Mediat amerikane, përfshirë Associated Press, mund të shpallin fitues në disa gara përpara se të numërohen të gjitha votat, duke përdorur modele statistikore dhe rezultatet paraprake. Megjithatë, në garat shumë të ngushta, shpallja e fituesit mund të vonohet ndjeshëm.
Në zgjedhje janë në garë të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 vende në Senat. Për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, një parti duhet të sigurojë të paktën 218 vende, ndërsa në Senat nevojiten 51 senatorë për një shumicë të drejtpërdrejtë. BBC kujton se në zgjedhjet e vitit 2022, gara për kontrollin e Kongresit mbeti e hapur edhe disa ditë pas votimit: republikanëve iu deshën deri më 17 nëntor për të siguruar zyrtarisht shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa gara në Xhorxhia u vendos vetëm pas balotazhit të 7 dhjetorit.
Një nga arsyet kryesore të vonesave është se çdo shtet ka rregullat e veta për numërimin dhe verifikimin e votave. Fletëvotimet me postë kërkojnë kontrolle shtesë, ndërsa në rastet kur diferenca mes kandidatëve është shumë e vogël mund të kërkohet rinumërim ose të paraqiten ankesa ligjore. Për këtë arsye, edhe nëse një parti shpall fitore gjatë natës, rezultati zyrtar mund të kërkojë më shumë kohë.











