José Mourinho ka folur në prag të sfidës së Real Madridit në Champions League, duke u ndalur veçanërisht te roli i Federico Valverdes dhe përgjegjësia që vjen me shiritin e kapitenit.
“Kur je kapiten i Real Madridit, duhet të jesh ndryshe. Është një përgjegjësi. Shiriti të bën t’i shohësh gjërat ndryshe”, deklaroi trajneri portugez.
Mourinho nuk e konfirmoi nëse Valverde do të vazhdojë të luajë si mbrojtës i djathtë apo do të rikthehet në mesfushë, por e bëri të qartë se uruguajani mbetet një lojtar thelbësor për skuadrën.
“Jam i kënaqur me të si mbrojtës i djathtë dhe skuadra po luan më mirë në atë krah. Por në mesfushë kemi Tchouameni, Camavinga, Bernardo dhe Thiago. Prandaj Fede do të luajë edhe në mesfushë. Për mua, një kapiten duhet të jetë gati të luajë aty ku ka nevojë skuadra.”
Trajneri i Real Madridit paralajmëroi gjithashtu për vështirësinë e transfertës në Greqi.
“Duhet të jemi seriozë. Real Madrid, mbreti i Europës, ka fituar vetëm një herë në tetë transferta në Greqi. Kjo tregon shumë. Nëse nuk jemi në nivelin tonë më të mirë, nuk do të fitojmë.”
Mourinho refuzoi të krahasonte skuadrën aktuale me Real Madridin që drejtoi në mandatin e tij të parë.
“Nuk më pëlqejnë krahasimet. Kjo skuadër ka shumë potencial, por ende nuk ka fituar asgjë. Është vetëm fillimi. Jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam.”
Ai foli edhe për mundësinë e një tjetër triumfi personal në Champions League, pasi më parë e ka fituar trofeun me Porto dhe Inter.
“Do të ishte titulli im i tretë me tre klube të ndryshme dhe me klubin më të madh në botë. Por këto janë hipoteza. Realiteti është se na duhen ende pikë për t’u kualifikuar.”
Në fund, Mourinho dha edhe një përgjigje karakteristike kur u pyet se sa kohë i duhet skuadrës për të arritur nivelin maksimal.
“Tre vite. Tre sezone.”











