Milan ka triumfuar 3-1 ndaj Interit në derbin e 100-të të luajtur në “San Siro”, duke zhvilluar një ndeshje të madhe dhe duke zgjatur në tetë serinë e përballjeve radhazi pa fitore për zikaltërit.
Kuqezinjtë e nisën sfidën në mënyrë perfekte. Në minutën e 4-t, Moreira kaloi Carlos Auguston dhe krosoi saktë për Pulisic, i cili me kokë mposhti Martinez për 1-0.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Milan goditi sërish. Pas një skeme nga goditja e këndit, topi mbërriti te Rabiot, i cili me të majtën realizoi golin e dytë.
Interi reagoi në minutën e 22-të. Pas një tjetër goditjeje këndi, Akanji devijoi topin drejt Bastonit, i cili shënoi me kokë dhe riktheu zikaltërit në ndeshje.
Skuadra e Chivut rriti presionin dhe Maignan u detyrua të ndërhynte ndaj Spence, por pikërisht në momentin më të mirë të Interit erdhi goditja e tretë e Milanit.
Në minutën e 43-të, Moreira gjeti hapësirë pranë zonës dhe me një goditje të saktë realizoi për 3-1, duke kurorëzuar një pjesë të parë të jashtëzakonshme personale.
Në fraksionin e dytë Interi provoi të rikthehej, por qarkullimi i topit ishte i ngadaltë dhe mbrojtja e Milanit kontrolloi mirë hapësirat. Carlos Augusto humbi një mundësi të mirë përballë Maignan, ndërsa Pavlovic ndërhyri në një moment të rrezikshëm ndaj Barellas.
Në minutën e 74-t, arbitri akordoi fillimisht penallti për Interin pas një kontakti të topit me Gilën, por vendimi u anulua pas rishikimit në VAR, pasi topi kishte prekur trupin e mbrojtësit spanjoll.
Milan rezistoi deri në fund dhe festoi një fitore të madhe në derbi, ndërsa Interi pësoi një frenim në krye të renditjes.










