Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përmes një deklarate për mediat lidhur me protestën studentore në Tiranë, duke akuzuar Policinë për përdorim dhune ndaj të rinjve që kanë dalë në rrugë kundër qeverisë.
Berisha e përshkroi situatën si një tjetër ditë terrori dhe pretendoi se ndërhyrjet e efektivëve synonin të mbronin kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarët e tij.
Ai vlerësoi qëndresën e studentëve dhe gjimnazistëve, duke deklaruar se ata nuk u tërhoqën përballë përpjekjeve për të shpërndarë protestën.
Sipas kreut të PD-së, dorëheqja e Ramës është kushti kryesor për hapjen e një kapitulli të ri politik dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje qytetarëve dhe forcave politike që t’i bashkohen protestës studentore, me synimin, siç u shpreh ai, për largimin e kryeministrit dhe rikthimin e votës së lirë.











