Hansi Flick ka vendosur të mos udhëtojë drejt Londrës për ceremoninë e Topit të Artë, vetëm pak orë pas humbjes së Barcelonës ndaj Real Madridit në El Clásico.
Sipas emisionit “Què T’hi Jugues” të Cadena SER, trajneri gjerman ka anuluar pjesëmarrjen në gala, ndërsa një tjetër mungesë e rëndësishme do të jetë Pau Cubarsí.
Mbrojtësi i ri i Barcelonës ka zgjedhur të qëndrojë në shtëpi për të pushuar pas ngarkesës së madhe me klubin dhe kombëtaren spanjolle.
Ndryshe nga Flick dhe Cubarsí, Lamine Yamal, Rodri, Dani Olmo dhe Joan García pritet të jenë të pranishëm në Londër.
Vëmendja më e madhe do të jetë te Yamal. 19-vjeçari është në garë jo vetëm për Topin e Artë, por edhe për Trofeun Kopa, të cilin e ka fituar në dy edicionet e fundit.
Yamal është nisur veçmas drejt Londrës me avion privat, së bashku me familjarë dhe miq, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit të Barcelonës do të udhëtojë në grup me drejtues dhe përfaqësues të skuadrave të meshkujve dhe femrave.
Nëse Yamal arrin të fitojë si Trofeun Kopa ashtu edhe Topin e Artë, ai do të realizonte një arritje historike në të njëjtën mbrëmje.











