Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht për plagosjen e Erjon Vishkullit gjatë protestës së 24 tetorit në kryeqytet. Organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal nr. 7806 të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, lidhur me dëmtimin e të riut gjatë protestës. Paralelisht, Prokuroria po heton edhe dyshimet për përdorimin joproporcional të forcës nga efektivët e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve. Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të qytetarëve të dëmtuar, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas ngjarjes së 24 tetorit, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rrethanat e plagosjes së Erion Vishkullit.
NJOFTIMI
Prokuroria Tiranë nis hetim kryesisht për dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave në kryeqytet. Hetime edhe për përdorimin jo proporcional të forcës nga policia
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.
Menjëherë pas ngjarjes të regjistruar më 24.10.2026, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndër të cilat si administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.
Gjithashtu në të njëjtin procedim po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa shtetasve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit në protesta.
Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).











