Kur kryeministri Edi Rama nisi të promovonte kulturën e iftareve dhe të citonte ajete kuranore në ligjërimet e tij publike, e konsiderova një gjest domethënës respekti ndaj besimit dhe lirisë fetare. E kujtoj mirë iftarin e vitit 2017 në Elbasan. Gjatë një bisede në tryezë, i thashë me humor se personi që ia përgatiste fjalimet duhej të ishte një njohës i mirë i teologjisë. Kryeministri qeshi. Ai takim më la mbresa të bukura. Në vitet që pasuan, kultura e iftareve u përhap në të gjithë spektrin politik shqiptar, duke u shndërruar në një traditë takimi dhe respekti përtej dallimeve partiake.
Pikërisht kujtimi i asaj atmosfere më shtyn të pyes: çfarë ka ndryshuar sot? Këtë pyetje e shtroj si teolog, për të cilin mbrojtja e lirisë së besimit dhe ruajtja e paqes sociale përbëjnë përgjegjësi morale dhe qytetare. Shqetësimi im nuk buron nga një kundërshtim personal apo partiak, por nga rëndësia që ka gjuha publike në një periudhë tensionesh, kur çdo deklaratë mund të ndikojë në mënyrën se si shoqëria i percepton qytetarët dhe grupet e ndryshme të saj.
Në deklarimet mbi protestat, kryeministri ka ngritur pretendime për përfshirjen e grupeve kriminale, radikalëve fetarë dhe ndikimeve të jashtme, duke ia atribuuar një pjesë të dhunës edhe grupeve që, sipas tij, lidhen me lëvizjen Antifa. Këto pretendime kanë natyrë të ndryshme, por vendosja e tyre në të njëjtin diskutim mund të krijojë përshtypjen se pas një krize të brendshme qëndron një organizim i gjerë, me interesa dhe objektiva të përbashkëta.
Kjo mënyrë interpretimi kërkon kujdes, sepse dhuna e individëve të caktuar dhe pakënaqësia e qytetarëve nuk janë e njëjta gjë. Nuk e mohoj dhunën e shfaqur gjatë protestave; pamjet televizive e kanë bërë të dukshme. Megjithatë, përgjegjësia për veprimet e paligjshme duhet të trajtohet veçmas nga shkaqet politike dhe shoqërore që kanë nxitur protestën. Njëra kërkon zbatimin e ligjit, ndërsa tjetra dëgjim, reflektim dhe përgjigje institucionale.
Në këtë frymë kanë reaguar edhe komunitetet fetare, të cilat kanë dënuar aktet e dhunshme gjatë protestave studentore dhe kanë shprehur shqetësim për përdorimin joproporcional të forcës nga pjesëtarë të policisë. Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit njerëzor nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike. Në Kuran thuhet: “Nuk ka detyrim në fe” (El-Bekare, 2:256), një parim që afirmon lirinë e ndërgjegjes dhe na kujton përgjegjësinë morale për respektimin e njeriut.
Nga ky këndvështrim lind edhe një pyetje mbi gjuhën politike. Një qeveri socialiste e majtë, që historikisht ka pasur në themel të programit të saj solidaritetin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen, përdor në debatin aktual disa formulime që bashkojnë shqetësime të ndryshme të sigurisë në një përshkrim të vetëm. Antifa, ekstremizmi me motiv fetar dhe krimi i organizuar përmenden pranë njëri-tjetrit, megjithëse përfaqësojnë dukuri me origjinë, karakteristika dhe qëllime të ndryshme.
Në historinë e komunikimit politik, paraqitja e kërcënimeve të ndryshme si pjesë e një rreziku të përbashkët ka shërbyer shpesh për të mobilizuar mbështetje dhe për të theksuar dallimin mes pushtetit dhe kundërshtarëve të tij. Kur dukuri të ndryshme vendosen nën të njëjtën etiketë, debati mund të largohet nga përgjegjësitë konkrete dhe të përqendrohet te shqetësimi që shkakton përshkrimi i tyre. Kjo nuk do të thotë se problemet e sigurisë janë të pabazuara, por se komunikimi institucional kërkon saktësi dhe maturi.
Në një demokraci, legjitimiteti i qeverisë dhe e drejta e qytetarëve për të protestuar nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato janë pjesë e të njëjtit rend kushtetues. Prandaj, edhe kur protestat shoqërohen me incidente, nuk është e mjaftueshme që ato të interpretohen vetëm përmes çështjeve të rendit publik. Pakënaqësia qytetare mund të ketë shkaqe ekonomike, politike dhe shoqërore, të cilat kërkojnë përgjigje përtej ndërhyrjes së organeve të sigurisë.
Rëndësia e këtij dallimi bëhet më e dukshme përballë disa incidenteve të raportuara gjatë protestave shqiptare: ulja e flamurit të Izraelit, ngjarjet pranë përfaqësisë diplomatike të Vatikanit, dhunimi i raportuar i memorialit të At Gjergj Fishtës dhe sulmi me koktej Molotov në oborrin e një kishe katolike. Në radhët e protestuesve janë ngritur dyshime se veprime të tilla mund të synojnë diskreditimin e protestës, ndërsa në qëndrimet qeveritare tensionet janë lidhur me shqetësimet për dhunën dhe kriminalitetin. Për shkak të ndjeshmërisë së këtyre ngjarjeve, autorët dhe motivet duhet të sqarohen përpara se ato të përdoren për të mbështetur përfundime të përgjithshme.
Këto episode prekin vlera që shkojnë përtej përkatësive politike dhe fetare. At Gjergj Fishta është pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare, ndërsa respekti ndaj objekteve të kultit përbën një përgjegjësi të përbashkët qytetare. Sjelljet e veçuara nuk duhet të shndërrohen në gjykime ndaj bashkësive të tëra, sepse përgjithësime të tilla mund të krijojnë ndarje që shoqëria shqiptare nuk ka arsye t’i ushqejë.
Në këtë diskutim merr rëndësi edhe marrëdhënia e politikës me qytetarët myslimanë praktikantë. Në qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga veriu në jug, pjesëtarë të kësaj bashkësie kanë qenë aktivë në jetën politike dhe elektorale, përfshirë edhe mbështetjen për programe dhe alternativa të Partisë Socialiste. Pjesëmarrja e tyre është shprehje e zgjedhjeve qytetare, të mbështetura në bindje dhe interesa të ndryshme, jo në një orientim të përbashkët fetar.
Për këtë arsye, mënyra se si diskutohen kërcënimet me natyrë ideologjike mund të krijojë shqetësim edhe te qytetarë që kanë besuar te programet e kësaj force politike. Kjo nuk nënkupton se qeveria duhet të shmangë çështjet e sigurisë. Përkundrazi, nevojitet një dallim i qartë mes personave ndaj të cilëve ngrihen dyshime konkrete dhe qytetarëve që ushtrojnë lirisht të drejtat e tyre.
Shqetësimi merr një përmasë tjetër kur mendojmë për mënyrën se si këto zhvillime perceptohen jashtë Shqipërisë. Çfarë përshtypjeje krijohet kur debati politik përqendrohet te pretendimi se krimi i organizuar, Antifa dhe grupe të motivuara nga ideologji të dhunshme synojnë të rrëzojnë me forcë një qeveri të zgjedhur demokratikisht? Një përshkrim i tillë mund të ndikojë në mënyrën se si partnerët ndërkombëtarë e kuptojnë realitetin politik dhe shoqëror të vendit. Për këtë arsye, komunikimi publik duhet të dallojë qartë faktet e dokumentuara nga dyshimet dhe interpretimet.
Në fund të fundit, përtej dallimeve politike, Shqipëria ka nevojë për qetësi, dialog dhe besim te institucionet. Shqetësimet e qytetarëve meritojnë të dëgjohen, ndërsa përgjegjësitë për çdo akt të paligjshëm duhet të përcaktohen me drejtësi.
Stabiliteti i vendit dhe e ardhmja jonë e përbashkët kërkojnë që edhe në momentet më të vështira të ruajmë respektin për njëri-tjetrin dhe maturinë në gjuhën publike.











