Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka kritikuar protestat e dhunshme në kryeqytet, duke deklaruar se pamjet e përplasjeve po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në sytë e turistëve të huaj dhe po ndikojnë në sektorin e turizmit.
Gjatë një takimi me gratë në Golem, Balla tha se bizneset e turizmit e dënojnë dhunën dhe se pamjet e transmetuara në mediat e huaja kanë krijuar shqetësim te turistët, duke sjellë, sipas tij, anulime të rezervimeve.
“Një mesazh nga kryeqyteti i turizmit, Golemi, ku biznesi i turizmit dënon dhunën e gatuar nga salinjtë vendas, e shtyrë edhe nga duart e huaja, armiqësore me Shqipërinë. Pamjet nga bulevardi po dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar dhe po sjellin anulim të rezervimeve”, u shpreh Balla.
Ai tha se turistët e huaj që i shohin pamjet në televizion mund të krijojnë përshtypjen se situata e shfaqur në kryeqytet është e përhapur në të gjithë vendin, ndërsa argumentoi se bëhet fjalë për një situatë të kufizuar.
“Një gjerman apo një suedez apo një danez që shikon në TV, se kujtojnë që ajo që shohin në TV është në gjithë Shqipërinë. Ajo është një gjë e izoluar. Në ditën më të madhe të kësaj proteste, 1500 veta ishin pjesëmarrës”, deklaroi ai.
Balla akuzoi gjithashtu organizatorët e protestave se kanë një agjendë politike dhe paralajmëroi për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë rikthimi i vendit në situata të ngjashme me të kaluarën.
“Janë disa që kanë një agjendë politike, dhe nënat e Shqipërisë e kujtojnë fare mirë 1997. Çfarë duan këta? Të kthehemi ku ishim? 30 vjet mbrapa?”, tha Balla.
Në vijim, drejtuesi politik i PS-së për Tiranën vuri theksin te procesi i integrimit europian, duke e cilësuar momentin aktual si të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Ai deklaroi se synimi është mbyllja e negociatave të anëtarësimit vitin e ardhshëm dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda tre viteve.
“Si ka mundësi që të gjitha këto ndodhin kur Shqipëria është në një moment të mirë? Në vitin tjetër duam të mbyllim negociatat, pas tre vitesh të hyjmë në BE”, u shpreh Balla.
Deklaratat e Ballës vijnë pas protestës së 24 tetorit në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, dëmtime të pronës publike e private dhe plagosje. Pretendimi për anulimin e rezervimeve turistike u paraqit nga Balla, ndërsa nuk u shoqërua në deklaratën e tij me të dhëna konkrete mbi numrin e anulimeve apo ndikimin financiar në sektor.










