Martínez Munuera është zgjedhur për të drejtuar El Clásicon e së dielës mes Barcelonës dhe Real Madridit, një ndeshje që vjen në një moment me tension të lartë mes dy klubeve.
Sipas “AS”, Komiteti Teknik i Arbitrave ka vendosur t’ia besojë sfidën 44-vjeçarit nga Alicante për shkak të eksperiencës së tij dhe aftësisë për të menaxhuar situata të komplikuara.
Një detaj interesant është se Martínez Munuera është polic me leje të përkohshme nga detyra, ndërsa në futboll është një nga gjyqtarët më me eksperiencë në Spanjë.
Ai arbitron në LaLiga që prej vitit 2013 dhe është arbitër ndërkombëtar që prej vitit 2015.
Për Martínez Munueran kjo do të jetë hera e pestë që drejton një El Clásico. Debutimi i tij në këtë përballje erdhi në sezonin 2020-21, kur Real Madridi fitoi 3-1 në “Camp Nou”, në një ndeshje ku Barcelona protestoi për penalltinë e akorduar pas ndërhyrjes së VAR-it për kapjen e Sergio Ramos nga Lenglet.
Një sezon më vonë, ai drejtoi fitoren 4-0 të Barcelonës në “Santiago Bernabéu”. Në sezonin 2022-23 ishte arbitër në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit, ku Real Madridi fitoi 4-0, ndërsa El Clásico i fundit i drejtuar prej tij ishte finalja e Superkupës së Spanjës në sezonin 2023-24, e fituar 4-1 nga madrilenët.
Bilanci i Real Madridit në El Clásicot e drejtuara prej tij është tre fitore dhe një humbje.
Megjithatë, madrilenët e kanë kritikuar disa herë Martínez Munueran në të kaluarën dhe madje kanë paraqitur edhe një ankesë ndaj tij pranë Komitetit të Disiplinës.
Në total, Real Madridi ka regjistruar 30 fitore, nëntë barazime dhe shtatë humbje në ndeshjet e drejtuara prej tij, ndërsa Barcelona numëron 24 fitore, gjashtë barazime dhe katër humbje.
Kjo do të jetë ndeshja e tij e gjashtë këtë sezon. Ai ka drejtuar ndër të tjera Real Madrid-Málaga dhe Sevilla-Barcelona, por El Clásico pritet të jetë testi më i vështirë.











