515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u betuan të premten në një ceremoni të zhvilluar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Kryeministri Albin Kurti e cilësoi këtë si gjeneratën më të madhe të rekrutëve në historinë e vendit.
Në ceremoni morën pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të mbrojtjes.
Gjatë fjalës së tij, Kurti u zotua se qeveria do të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë mandatit aktual. Ai theksoi se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është një nga prioritetet e qeverisë, ndërsa bëri të ditur se gjatë mandatit të kaluar buxheti i ushtrisë u trefishua.
“Qeveria e Kosovës synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati. Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet priorite. 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”, u shpreh Kurti.
Sipas kryeministrit, gjatë periudhës së qeverisjes së tij janë rekrutuar gjithsej 3 220 ushtarë të rinj. Ai deklaroi se Kosova synon të arrijë dy vjet më herët kapacitetet ushtarake të planifikuara për vitin 2028.
Kurti bëri të ditur gjithashtu se janë realizuar blerje armatimi me vlerë mbi 430 milionë euro. Ndër pajisjet e përmendura prej tij janë dronët Bayraktar, sistemet Skyguard dhe më shumë se 40 lloje armatimesh të rënda dhe të lehta.
Një tjetër objektiv i qeverisë është zhvillimi i industrisë vendase të mbrojtjes. Sipas Kurtit, deri në fund të vitit pritet të nisë prodhimi i municioneve në fabrikën që po ndërtohet në Gjakovë. Ai tha se do të mbështeten edhe ndërmarrjet private që synojnë të prodhojnë pajisje për sektorin ushtarak.
Kryeministri përsëriti gjithashtu synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke përmendur pjesëmarrjen e FSK-së në misione dhe ushtrime ndërkombëtare, përfshirë aktivitetet “Defender 21”, “Defender 23” dhe “Defender 25”.











